E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryetari i LSI-së braktis Metën në Librazhd

 

Kryetari i komunës Lunik të Librazhdit, përfaqësues i LSI-së, Astrit Xhafa nuk ka pranuar të shajë PS-në

Ndryshimi i sjelljes politike të LSI-së ndaj koalicionit të majtë dhe seria e sulmeve që kreu i kësaj force, Ilir Meta, ka ndërmarrë javët e fundit ndaj Partisë Socialiste dhe kryetarit të saj, Edi Rama, nuk është mirëpritur në bazë. Intensifikimi i këtij sulmi ditët e fundit ka sjellë dhe reagimet e para mospajtuese të drejtuesve dhe anëtarëve të thjeshtë të LSI-së me qëndrimet e mbajtura nga kryetari i tyre, Meta. Rasti më i freskët në këtë drejtim është ai i djeshmi, ku kryetari i Komunës së Lunikut në Librazhd, përfaqësues i LSI-së, Astrit Xhafa, në shenjë refuzuese ndaj linjës politike të ndjekur nga partia e tij, nuk ka pranuar që të marrë pjesë në takimin që Meta kishte programuar në Kinoteatrin e qytetit. Siç bëhet e ditur nga burime nga LSI e Librazhdit, shkak i këtij veprimi mësohet të ketë qenë kërkesa që Meta i ka bërë kryekomunarit të Lunikut, Astrit Xhafës, para takimit për të folur në këtë tubim dhe për të sharë PS-në dhe Edi Ramën. Por një kërkesë e tillë duket se nuk është pranuar nga kryetari i komunës i cili, siç mësohet, nuk ka nguruar të shprehë gjatë këtij takimi me kryetarin e LSI-së edhe zhgënjimin e tij për qëndrimet që Meta ka mbajtur kohët e fundit ndaj PS-së. Një fakt të tillë e konfirmoi dhe vetë Xhafa, i cili pas takimit me kryetarin e LSI-së, Ilir Meta, deklaroi mospajtimin me veprimet dhe deklaratat e tij dhe për këtë arsye abandonoi dhe takimin. Siç bëri të ditur vetë kryekomunari Xhafa largimi i tij kishte të bënte me refuzimin e sjelljes politike që LSI ka shfaqur kohët e fundit, në raport me Partinë Socialiste. "Shpreh mospajtimin tim me veprimet dhe deklaratat e Metës. Për mua është e papranueshme që forca ime politike ka ndërmarrë një seri veprimesh anti-PS, veprime të cilat nuk i shërbejnë të majtës. Unë nuk mund të pajtohem me këtë sjellje, pasi në 2007 u zgjodha kryetar komune me votat e Partisë Socialiste", - u shpreh Xhafa pas takimit. Sipas tij, kryetari i LSI-së, Ilir Meta gabon në qëndrimet e veta kundrejt PS-së, pasi ato nuk i shërbejnë vizionit të së ardhmes dhe fitores të së majtës në zgjedhjet e ardhshme. "Meta gabon në sjelljen e tij politike ndaj PS-së. Deklaratat e tij shpeshherë kohët e fundit, janë pa vizion", - u shpreh kryetari i komunës Lunik të Librazhdit, Astrit Xhafa, në një komunikim telefonik për gazetën. Ai e ka vlerësuar si jetike për LSI-në dhe për të majtën në përgjithësi, koalicionin me Partinë Socialiste. Vetëm nëpërmjet këtij koalicioni, ka theksuar Xhafa, do të bëhet e mundur fitorja e 2009 dhe largimi i Berishës nga pushteti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›