E Shtunë, 31 Tetor 2026

Disiplina përkëdhel Laçin

laci2Komisioni i Disiplinës ka ndëshkuar me dy ndeshje pa praninë e tifozëve  ekipin e Laçit, pas gjendjes së krijuar në gjysmëfinalen e të mërkurës

Komisioni i Disiplinës, i mbledhur ditën e djeshme ka vendosur që pas incidenteve të ndodhura në gjysmëfinalen mes Laçit dhe Kukësit, të dënojë ekipin vendas me dy ndeshje pa tifozë. Shkak për këtë dënim duket se është bërë hyrja e tifozëve bardhezinj në fushë pas ndeshjes.

Pas fërshëllimës së trefishtë të kryesorit Pashaj, tifozët vendas kanë kaluar rrethimin e fushës dhe kanë shkuar drejt tifozëve miq me synimin për ti sulmuar, ndërsa duhet theksuar se gjatë gjithë ndeshjes ka pasur kore ofenduese nga të dy tifozeritë.

Precedenti

Në ndeshjen Tirana Dinamo 1-2, të luajtur në 25 Janar 2010,  një numër i vogël tifozësh bardheblu hyjnë në fushën e lojës, duke e ndalur për disa minuta lojën, deri në momentin kur forcat e rendit ndërhyjnë dhe spastruan fushën. Në atë rast, skuadra bardheblu si organizatore e takimit ishte dënuar me katër ndeshje pa tifozë, por duhet theksuar se  hyrja e tifozëve në fushë është bërë përpara fërshëllimës së fundit të arbitrit kryesor, i cili për ironi të fatit ishte Bardhyl Pashaj, arbitri që arbitroi dhe gjysmëfinalen mes Kukësit dhe Laçit.

Sipas vendimit të Komisioni të Disiplinës Tirana dënohej për shkak të mosmarrjes së masave të sigurisë, në bazë të neneve 4,9,19, 24 të Kodit të Disiplinës Sportive, ndërsa klubi i Laçit është dënuar për shkak të hedhjes së sendeve në fushë.

Vendimi i atëhershëm ishte: KF Tirana, për mosmarrje të masave të mjaftueshme të sigurisë dhe organizimit të ndeshjes, në bazë të neneve 4, 9, 19 e 24 të  K.D.S. dënohet me  zhvillimin e 4 (katër) ndeshjeve pa praninë e shikuesve dhe 300.000 lekë gjobë, ndërsa Vendimi i djeshëm i Komisionit të Disiplinës është: KF Laçi për hedhje të sendeve të forta në fushën e lojës pa shkaktuar akte të dhunës dënohet me zhvillimin e 2(dy) ndeshjeve pa spektatorë në stadiumin përkatës bazuar në nenin 66.3/a të KDS.

Laçjanët akuzojnë forcat e rendit

Tifozët laçjanë kanë akuzuar forcat e rendit të pranishme në stadium për acarimin e situatës. Mësohet se në ndeshjen e të mërkurës kanë qenë plot 500 policë dhe oficerë të forcave të ndërhyrjes së shpejtë, të cilët kanë rrethuar stadiumin. Duket se prania e tyre, ka acaruar tifozët laçjanë, të cilët në faqen e tyre në Facebook fajësojnë uniformat blu për situatën e dalë jashtë kontrollit.

Tre lojtarë të Laçit të dhunuar nga Policia

Erjon Vucaj, Valdano Nimani dhe Daniel Jubani kanë qenë viktima të dhunës së ushtruar nga Policia në përfundim të gjysmëfinales së luajtur në Laç. Tre lojtarët e Laçit,  janë dhunuar nga uniformat blu, në rrëmujën e krijuar pas ndeshjes, ndërsa përflitet se ka pasur një konfrontim edhe në ambientet jashtë stadiumit, në momentet kur lojtarët vendas po bëheshin gati për tu larguar nga stadium.

Nuk ka shpëtuar pa u dëmtuar edhe makina e futbollistit të ri Jubani, i cili hyri në lojë në minutat e fundit, ndërsa dhe makinat e tjera të pranishme në parkingun e stadiumit kanë pësuar dëmtime të ndryshme. Lojtarët laçjanë akuzojnë Policinë për dëmtimet, ndërsa nga ana tjetër nuk ka pasur asnjë prononcim nga komisariati i rrethit të Kurbinit në lidhje me incidentet.

Një ditë pas

Nuk janë qetësuar  akoma gjakrat mes tifozëve të Laçit dhe të Kukësit. Sportdashësit bardhezi dhe kolegët e tyre verilindorë, kanë vazhduar me të shara dhe ofendime edhe larg stadiumit, teksa arenë janë bërë faqet e ndryshme sportive të rrjeteve sociale në Facebook.

Në këtë mënyrë, aktet e shëmtuara që ndodhën në ndeshjen gjysmëfinale,  kanë vazhduar në një formë tjetër duke i bërë në një farë mënyre reklamë negative futbollit shqiptar. Nuk kanë munguar komentet negative, ndërkohë, edhe nga fansa të ekipeve të tjera, teksa tifozë të Flamurtarit dhe të Vllaznisë kanë kontestuar koreografinë laçjane.

Në parullat e ngritura nga Ultras Divas 540, që është dhe grupimi ultras i ekipit bardhezi, kanë rënë në sy tre prej tyre, që i drejtoheshin Partizanit dhe Luftëtarit, dhe në mënyrë ironike edhe Flamurtarit, Vllaznisë, Dinamos, Tiranës dhe Kukësit.

Nuk ka Kukës as Vllazni, vetëm Laçi në veri, Ska Dinamo, as Tironë, por ka vetëm Partizon, Veç Luftëtari është në jug, Flamurtarin e kena zhduk ishin tre parrullat që sollën polemika mes tifozëve të ekipeve të ndryshme të Supërligës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›