Gërxho: Një nga golat më të bukur në karrierë
Julian Gërxho, që i dha kualifikimin në finale Bylisit falë një eurogoli nga goditja e dënimit, flet për golin e shënuar dhe për mundësitë për të fituar trofeun
Julian Gërxho është padyshim lojtari i momentit të Bylisi. Mesfushori fierak ka shënuar një eurogol në gjysmëfinalen ndaj Skënderbeut, dhe i ka dërguar ballshiotët për herë të parë në finalen e Kupës së Shqipërisë, në edicionin e 61-të të saj.
Një gjuajtje e ngjashme me atë të Alban Mehës ndaj Lituanisë për nga mënyra e ekzekutimit, por në një pozicion më diagonal me katërkëndëshin e miqve, nuk i la asnjë mundësi reagimi portierit Orges Shehi dhe përfundoi në trekëndëshin e djathtë të portës.
Mjaftoi ky gol, që Bylisi të siguronte kualifikimin historik për në finale dhe mundësinë reale për të ngritur trofeun e parë elitar në historinë e tij. Në një prononcim për Sportin Shqiptar, mesfushori 28-vjeçar ka folur për golin e shënuar në Kupë, dëmtimin që e ka mbajtur larg gjatë fushave dhe shanset e Bylisit në finale.
Ishte një gol që më pëlqeu shumë, por për mua nuk është një risi, pasi stërvitem dhe praktikohem sa më shumë me goditjet e dënimit në stërvitje, dhe shënoj shpesh gola të tillë në stërvitje, edhe pse rastisi që ky erdhi në një moment të shkëlqyer siç ishte gjysmëfinalja ndaj Skënderbeut.
Gjithsesi, duhet të them që për të patur këtë lloj gjuajtje duhet të kesh dhe një dhunti të vogël nga natyra, në kuptimin që është dhe pak e lindur dhe ndonjëherë nuk mjafton puna. shprehet mesfushori fierak në lidhje me golin spektakolar të shënuar në gjysmëfinalen e të mërkurës.
Në lidhje me rëndësinë e golit, Gërxho thekson se goli i tij është një nga më të bukurit dhe më të rëndësishmit në karrierë, dhe se është mënyra më e mirë për ta lënë njëherë e mirë pas dëmtimin. Unë kam realizuar shpesh herë gola të tillë dhe kur kam qenë te Apolonia apo në ekipe të tjera, megjithatë për mënyrën e ekzekutimit dhe për rëndësinë që pati, goli kundër Skënderbeut ishte një nga më të bukurit në karrierë. Ishte një gol historik, dhe erdhi në momentin e duhur.
Kisha shumë kohë i dëmtuar dhe mu desh kohë të rigjeja veten pas dëmtimit. Kisha shënuar dhe përballë Luftëtarit në kampionat, por me këtë gol në gjysmëfinale mund të them se kam lënë njëherë e mirë mbrapa dëmtimin dhe periudhën e keqe të këtij sezoni, ndërsa dua të falënderoj presidentin Kapllanaj, stafin e ekipit, lojtarët dhe tifozët për mbështetjen e vazhdueshme por këtë gol ia dedikoj familjes time ka deklaruar heroi i gjysmëfinales.
Për sa i përket finales së 15 Majit, Gërxho ka vlerësuar kundërshtarin, por ka theksuar se Bylisi i ka të gjitha mundësitë për të fituar dhe për të çuar trofeun në Ballsh. Fituam ndaj ekipit më të fortë në Shqipëri, kampionëve të Skënderbeut, të cilët në kampionat janë 12 pikë përpara vendit të dytë.
Këtë sezon, në katër ndeshje më korçarët kemi marrë 3 barazime dhe një fitore dhe ky është një tregues i mirë. Për sa i përket finales me Laçin, mendoj se jemi pak më të avantazhuar pasi ne kemi mundur kampionët. Jam i bindur se i kemi të gjitha mundësitë për të fituar kupën ka deklaruar Gërxho, i cili në fund të ndeshjes ka treguar dhe një kuriozitet të vogël, sipas të cilit fatin ia solli sulmuesi Klodian Arbri.
Arbri kishte dy ditë që kishte një parandjenjë se do të shënoja, madje ma kishte përmendur disa herë këtë gjë, dhe më bëri dhe mua të besoja. Përpara ndeshjes arriti deri aty sa të më fërkonte këpucën e këmbës së djathtë, sikur ta dinte që unë do të shënoja ka mbyllur prononcimin e tij, mesfushori fierak, Julian Gërxho.
Teqja mungon në finale
Mbrojtësi i Bylisit, Olsi Teqja do të mungojë në finalen e 15 Majit për shkak të kartonit të marrë në gjysmëfinalen ndaj Skënderbeut. Teqja u ndëshkua me kartonin e verdhë në pjesën e dytë të lojës, dhe nuk do të jetë në dispozicion të teknikut Shensoji për ndeshjen e fundit të Kupës së Shqipërisë. Kjo do të ishte finalja e parë në karrierë për ish-mbrojtësin e Kastriotit.
