Harrison Ford sërish me rol në “Blade Runner”

Kush do të luajë në vazhdimin e historisë gjeniale të të ndjerit Philip K. Dick? Scott insiston që ai të jetë Harrison Ford.
Ridley Scott ka konfirmuar që dëshiron që Harrison Ford të paraqitet në vazhdimin e “Blade Runner”. Scott ka thirrur Hampton Fancherin, i cili ka shkruar skenarin sipas historisë origjinale të Dick, që të shkruajë një skenar të ri për vazhdimin.
“Blade Runner” për herë të parë në kinema u shfaq në vitin 1982 dhe atëherë nuk kishte shënuar një fitim të madh, por adhuruesit e filmave fantastiko-shkencor kanë krijuar prej tij kultin, i cili i ka sjellë Ridley Scottit statusin e regjisorit ideal të fantastikës-shkencore. Ford e ka luajtur karakterin kryesor, Rick Deckard, dhe edhe pse Scott e dëshiron Fordin në vazhdim, nuk e do atë si hero kryesor të tregimit.
"Unë mendoj se Harry (Ford) nuk do të jetë në rolin kryesor. Megjithatë, duhet ta fus diku. Kjo do të ishte mjaft argëtuese", ka thënë Scott, në një intervistë dhënë kohë më parë për gazetën britanike “The Independent”.
Xhirimet e “Blade Runner 2” mund të fillojnë në fillim të kësaj vjeshte.