Diskutime për Kosovën në KS, Hoxhaj: Ndryshim të politikave konfliktuale

Minuta më parë ka filluar mbledhja e Këshillit të Sigurimit ku po diskutohet raporti 3-mujor i sekretarit të Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara Ban Ki Moon.
Në qëndrimin e OKB-së është vlerësuar marrëveshja e arritur mes Kosovës dhe Serbisë për kufijtë, duke e vlerësuar si një vullnet të mirë mes palëve.
Përfaqësuesi shqiptar në Këshillin e Sigurimit, kryediplomati kosovar Enver Hoxhaj theksoi se Kosova ka bërë progres të madh në zhvillimin e saj si dhe ka forcuar institucionet e vendit.
Sipas tij, Qeveria ka qenë aktive në plotësimin e nevojave të shoqërisë, duke shtuar se janë miratuar 20 ligjet më të rëndësishme për vendin.
“Duam të ndryshojmë politikat e konfliktit pasi Kosova ka demokraci shumetnike, por premtimet e Serbisë janë boshe”, theksoi Hoxhaj.
Ai tha se njohja e mëtejshme e Pavarësisë së Kosovës është një objektiv kryesor dhe se për këtë do vijohet të punohet më tej.
Duke folur për perspektivën evropiane të shteteve të Ballkanit, ministri Hoxhaj ka thënë se paqja dhe stabiliteti ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe prosperiteti i tërë rajonit do të varen nga vendimet që do të merren shpejt në Bruksel nga Këshilli Evropian.
Sipas tij, Serbia nuk mund t’i jepet statusi i kandidatit, pa shpërbërjen e strukturave të policisë dhe sigurisë në veri të Kosovës.
“Nëse Serbia shpërblehet me statusin e kandidatit, pa shpërndarjen e strukturave të policisë dhe sigurisë në veri të Kosovës, largimin e barrikadave dhe zbatimin e plotë të marrëveshjeve, atëherë pasojat do të jenë afatshkurtra dhe afatgjate. Situata e “status-quo”-së në tri komunat veriore të Kosovës do të transformojë në një konflikt të ngrirë; marrëveshjet e arritura përmes dialogut teknik nuk do të zbatohen; dhe procesi i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk do të ketë të ardhme”, ka paralajmëruar Hoxhaj.
Ndërsa Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç, gjatë fjalës së tij tha se tensionet janë ulur kohët e fundit në veri.
“Serbia e dënon dhunën, ndërsa vlerësojmë se dialogu mes dy vendeve ka shënuar rezultate pozitive dhe zgjidhja përfundimtare shihet te negociatat. EULEX ka bërë punë të mirë me drejtësinë dhe për këtë e përgëzojmë”, u shpreh Jeremiç.