E Diel, 1 Nëntor 2026

Diskutimet akademike për zgjedhjen e një presidenti ndjellin veç zhurmë e tollovi

13-01-2012 / Nga Eden Babani

Një ndër të përditshmet më të njohura të kryeqytetit botonte këto ditë shkrimin “Interpretimi i Kushtetutës dhe zgjedhja e Presidentit”. Autori, mesa duket jurist me pretendime në fushën e kushtetutshmërisë, i ka hyrë një diskutimi akademik “ex cathedra”, duke dhënë leksione se si duhet kuptuar e si duhet interpretuar një kushtetutë. Parë me kujdes, shkrimi përshkohet fund e krye prej kundërshtish logjike, të cilat artikullshkruesi s’i ka përfillur a s’ka dashur t’i përfillë, falë përfundimeve që ka synuar të hedhë në tregun e rëndomtë politik. S’do mend, lexuesi i zakonshëm, jo amator i stileve gazetareske-akademike, e shmang qysh në rreshtat e parë leximin e shkrimeve të lodhshme kësi soji, duke i shpëtuar një herësh edhe mashtrimit të mundshëm. Përkundrazi, një tjetër lexues, viktimë kompleksesh inferioriteti, i etur për emra autorësh e dijetarësh të huaj të fushës përkatëse ose për terma profesionalistësh, mahnitet nga “dijet” e autorit dhe i turret detit me lugë, duke lëshuar herë-herë ndonjë “Oh! Çfarë mrekullie!...”, ani se s’merr vesh gjë prej gjëje nga mrekullitë, as kur rreket t’u hyjë brenda, as kur del syresh. Gjithsesi, me të tilla tymnaja akademike, ka nga ata që ia dalin të përpunojnë në një farë mënyre një pjesë të opinionit. Ndërkohë, zhurma e tenxhereve bosh që rrokullisen aneskaj vendit, shkon në kreshendo.
Është interesante të kujtoj se autori i shkrimit të sipërcituar ka vetëbindjen të jetë i pagabueshëm në interpretimet e veta dhe në përfundimet që synon të nxjerrë. Si ndonjë tip narcisi që i gëzohet vetvetes, ai guxon ta mbyllë diskutimin “ex cathedra” kështu: “Kujtoni qëllimin madhor të Kushtetutës në demokraci: parandalimi i pushtetit absolut dhe, nëse mundeni, më argumentoni që gaboj.”
Që i pagabueshmi ka gabuar fund e krye, nuk është vështirë të kuptohet, po të vëresh trysninë që përpiqet të ushtrojë mbi opinionin e gjerë, dhe po të qëmtosh synimet që i ka vënë vetes, çka duken açik prej përfundimeve të politizuara njëanshmërisht majtas. Kjo nuk i shkon etikës morale të një diskutimi akademik të paanshëm, çka e kanë argumentuar haptazi disa ndër komentuesit e shkrimit në internet, me sa duket jo më pak të aftë e të specializuar në fushën e kushtetutshmërisë.
Për hir lexuesit që nuk lundron në internet, njëherësh pa dashur të bëhem i mërzitshëm me tjerrje të gjata, po vë në dukje shkurt ndonjë konsideratë nxjerrë prej komenteve, ani se shumëkush mund të më akuzojë se po abuzoj me shmangien e kontekstit që, edhe kështu s’është vështirë të nënkuptohet. Nuk po përmend emra a pseudonime komentuesish, që të mos nxit polemika të panevojshme.
Dikush vëren: “Rrallë ndonjëherë kam lexuar nga ndonjë autor shqiptar ndonjë ese stilistikisht kaq të përkryer me përfundime kaq të gabuara...” Kjo nuk është thënë apriori, ngase komentuesit nuk i shkojnë përshtat përfundimet. Në vijim, ai shpjegon “disa nga argumentet përse gabon” artikullshkruesi, duke veçuar tre më të qenësishmet: argumentin “gramatikor” ose literalist, argumentin teologjik dhe atë moral. Pa hyrë në detaje, çka do të ishte e pamundur për një shkrim drejtuar publikut të gjerë, dëshiroj të sqaroj se komenti, paksa i gjatë, do të ishte, ndoshta, i denjë për një shkrim polemik më vete. Ai shkon në drejtim diametralisht të kundërt me shpjegimet e artikullshkruesit. Ndonëse jo shprehimisht, komenti ia çjerr atij maskën  e dijetarit të fryrë, pas së cilës përpiqet t’ia fshehë opinionit qëllimet e veta.
Një tjetër komentues shkruan: “Denar, ke bërë gabime të trasha logjike... Jon Elster është një profesor marksist dhe synon që të arrijë në definicione antisistem me anë dekonstruksionesh. Është e vjetër kjo gjë dhe e njohur prej kohësh. Tërë analizën e ke krejt të dobët, pasi nisesh nga një premisë e rrejshme”.
Më në fund, që të jem i paanshëm, citoj edhe ndonjë prej komenteve që mbështesin autorin: “Shumë e saktë. Qëllimi madhor i Kushtetutës: PARANDALIMI I PUSHTETIT ABSOLUT”, shkruan dikush, pa ditur a pa mundur të thotë diç më shumë, përveç “përkthimit” të fjalëve të autorit në “gjuhën” e shkronjave kapitale(!).  Kurse një tjetër, i përmalluar: “Prof më nxore mallin e ditëve të universitetit...” Lumë e det e koçimare!...
Si vëzhgues, jam i bindur se shkrimi në fjalë, më tepër sesa të interpretojë  Kushtetutën, synon të shtojë tollovinë politike në situatën kur lëmshi po mblidhet dhe po duket përherë e më qartë se Presidenti i ri i Republikës do të jetë nga radhët e shumicës. Interpretimi i nenit 87 prej Gjykatës Kushtetuese, çka pretendon opozita dhe duket se rreket t’i bëjë jehonë artikullshkruesi, është i pashpresë. Siç vëren juristi i njohur Çlirim Gjata, Gjykata “nuk mund të bëjë një interpretim pa pasur një konflikt mes palëve për një çështje të caktuar”, ndërsa “Parlamenti e zbaton Kushtetutën, ashtu si mendon ai se e ka zbatuar”. Një edhe një, bëjnë dy.
Përkundrazi, autori i shkrimit në fjalë, ka mendimin se “njerëzit e zakonshëm lexojnë veç atë që u sheh syri; ata nuk e njohin historinë e institucioneve kushtetuese, nuk kanë përgjegjësinë për të ardhmen e vendit dhe nuk janë të pajisur me një mekanizëm profesional arsyetimi, ndaj nuk arrijnë dot të identifikojnë mes shkronjave shpirtin e gjallë të një kushtetute”. Bukur stilistikisht për të tërhequr  vëmendjen e një auditori studentësh. Në vesh të shurdhër, për realitetin tonë qytetar. Nuk është e thënë që qytetari, qoftë i rëndomtë a i sferës së lartë intelektuale, të identifikojë domosdo “shpirtin e gjallë” të kushtetutave. Ama, pavarësisht kësaj, ato (kushtetutat) i drejtohen atij. Nga ana tjetër, nuk besoj të gjendet kund një mospërfillje, në mos fyerje kaq e hapur ndaj elektoratit të një vendi, i cili voton Parlamentin dhe jo gjyqtarët, çfarëdo qofshin ata, gjyqtarë kushtetues ose jo, shumë të ditur ose më pak të ditur. Sipas këtij arsyetimi që bie ndesh me mekanizmin e qenësishëm të një rendi demokratik – atë të votës së lirë, - fatet e një vendi qenkan vetëm në duart e gjyqtarëve, të cilët lexuakan përmes rreshtave “shpirtin e gjallë të kushtetutave”. A i ka shkuar nëpër mend “Prof-it” se një gafë e tillë do ta vinte në rolin qesharak të dijetarit pa sedër shkencore?
Një tjetër paradoks i arsyetimeve të “Prof-it” është paralelja që mundohet të heqë mes asaj çka ai supozon se do të ndodhë në Parlamentin e Republikës së Shqipërisë dhe pavlefshmërisë së zgjedhjes së Pacollit në Republikë e Kosovës “me argumentin se seanca nisi pa numrin e kërkuar të deputetëve”. Siç shihet, çekani rreh te kuorumi, pra te arma e vetme e opozitës për të bojkotuar zgjedhjen e Presidentit në seancat e para parlamentare dhe për t’i imponuar shumicës një president konsensual. Personalisht, do të thosha se asgjë s’mund të parashikojmë pa filluar procedurat zgjedhore. Siç vëren me të drejtë juristi Gjata, Gjykata Kushtetuese do të hyjë në lojë vetëm pasi Presidenti i ri të jetë zgjedhur, si në rastin Pacolli, dhe vetëm nëse opozita do të kërkojë interpretim të neneve që ajo do t’i gjykojë se u skelën prej pozitës. Në fazën aktuale të diskutimit, të hamendësosh kësisoj, është njësoj sikur të rrahësh ujë në havan. Sot për sot, kemi në dorë një kushtetutë, me ato ndryshime që iu bënë tre-katër vjet më parë. Kemi edhe deklaratën e Kryeministrit Berisha në emër të shumicës qeverisëse se Presidenti do të zgjidhet nga radhët e saj dhe se do të zbatohet Kushtetuta ekzistuese. Gjithçka jashtë kësaj logjike amplifikohet vetëm për trysni ndaj opinionit, për të ngjallur pakënaqësi, në mos për të shtuar shanset e trazirave me qëllim bllokimin e reformave dhe integrimin e vendit në BE.
Hidh gurin e fshih dorën, në shkrimin e sipërcituar, autori rreket të gjejë “të keqen më të vogël” për opozitën (!?...), të na lërë në derë edhe për ca kohë Presidentin në ikje. Duke iu referuar gjithnjë interpretimit të nenit 87 të Kushtetutës, ai pret me sëpatën e dardharit. Sipas tij, për zgjedhjen e Presidentit “...përfundimi është unik: mazhoranca ose do të pranojë një president konsensual, ashtu sikurse është zgjidhja më e mirë për shoqërinë dhe për vendin, ose do të pranojë që në detyrë të mbetet (për një kohë të pacaktuar) Presidenti Topi”. Shumë a pak, kjo i ngjan thënies  së arushës se, atë mot, dardhat do të bënin plot, ngase i pëlqenin asaj.
Mirëpo, tashmë, shumica e elektoratit shqiptar ka dijeni të mjafta se, me një president të zgjedhur me konsensus, të propozuar ose jo prej opozitës, ne jemi djegur një herë dhe macja, kur digjet prej qullit, i fryn edhe kosit. Vendi ka nevojë për president me staturë politikani, me integritet të lartë moral dhe besnik të parimeve kushtetuese, jo për një lolo-president, hequr prej tryezave të kafeneve dhe sistemuar në krye të shtetit. Kurse Topi në Presidencë i ka ditët të numëruara.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›