E Diel, 1 Nëntor 2026

“Të ruhet dialogu politik gjatë vitit 2012, Shqipëria të realizojë axhendën evropiane”

13-01-2012 / Gazeta 55

Komisioni Evropian

Zëdhënësi i Komisionerit për Zgjerimin, Peter Stano deklaron në një intervistë ekskluzive për mediat shqiptare në Bruksel, se viti 2012 është viti i oportuniteteve për Shqipërinë, nëse ruhet dialogu politik dhe zbatohet agjenda europiane. Peter Stano bën thirrje për angazhim të forcave politike në vendin tonë që të kapin shansin dhe t’i përgjigjen në mënyrën e duhur 12 rekomandimeve të paraqitura nga Bashkimi Europian. Brukseli zotohet qartazi se brenda këtij viti Shqipëria do ketë të gjitha shanset për marrjen e statusit të vendit kandidat dhe çeljen e negociatave të anëtarësimit. Reagimi i përfaqësuesit të Brukselit, vjen në të njëjtën ditë kur PS në konferencën e kryetarëve, shkeli marrëveshjen me mazhorancën, për miratimin e ligjeve me shumicë të cilësuar 

Bashkëpunimi politik për agjendën europiane të arritur në nëntor të vitit të shkuar po vijon. Si e konsideron Komisioni Europian punën që po bëhet aktualisht?
Komisioni Europian është duke ndjekur nga afër zhvillimet në Shqipëri, ashtu siç e bëjmë edhe për vendet e tjera të rajonit. Ne i kushtojmë një vëmendje të veçantë zhvillimeve që lidhen me axhendën europiane në Shqipëri. Sigurisht që roli i Komisionit është këshillimi dhe mbështetja e këtyre vendeve gjatë integrimit të tyre europian. Siç e përmendët edhe ju, ka pasur një zhvillim pozitiv në nëntor me arritjen e marrëveshjes të partive politike për të rifilluar dialogun politik dhe për tu fokusuar tek reformat e nevojshme, pasi bëhet fjalë për reforma nga të cilat do përfitojnë qytetarët shqiptarë.

Ç’mendoni për punën që po bëhet në gjirin e komisionit të reformës elektorale dhe asaj për rregulloren e Kuvendit, duke qenë se këto janë dy komisionet parlamentare më të rëndësishme?
Siç e thashë, nëntori 2011 ishte i rëndësishëm për marrëveshjen politike lidhur me punën për reforma kyçe. Viti 2012, ky vit i ri mund të jetë viti i oportuniteteve për Shqipërinë nëse do të ruhet dhe do të vazhdojë qëndrueshmëria dhe stabiliteti i marrëveshjes për dialogun politik dhe axhendën europiane dhe gjithashtu nëse procedohet në përputhje me qëllimin e fiksuar kur u arrit marrëveshja. Pra, ka një oportunitet për Shqipërinë këtë vit. Partitë politike kryen angazhime premtuese në nëntor të vitit të shkuar kur arritën marrëveshjen politike. Ajo nevojitet që të ruhet dhe që të zhvillohet, pasi kjo është rruga që Shqipëria duhet të ndjekë për të avancuar drejt një të ardhmeje më të mirë për qytetarët e saj.

Kemi një kalendar të qartë. E dimë që forcat politike duhet t’ia dalin mbanë me reformat në pranverë, duke qenë se më pas pritet të zhvillohet e ashtuquajtura “beteja për presidentin”. A është klima aktuale e favorshme për mbarimin në kohë të këtyre reformave?
Ne kemi një fokus të veçantë tek axhenda europiane dhe roli i Komisionit është mbështetja dhe këshillimi gjatë këtij procesi. Secila palë në Shqipëria i di detyrat e saj. Ne shpresojmë që angazhimet do të realizohen, siç është premtuar. Komisioni ka fiksuar 12 prioritete që duhen përmbushur nga Shqipëria. Për secilin aktor në këtë axhendë është shumë e qartë përgjegjësia, pasi ajo nuk lidhet vetëm me politikën, duke qenë se procesi europian është një proces që prek të gjithë qytetarët.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›