E Shtunë, 31 Tetor 2026

Diskutohen detajet e interkonjeksionit me Malin e Zi

 

Krerët e OST, shkojnë në Shkodër për të folur mbi shpronësimet e programuara

SHKODËR - Sistemi energjetik në Shkodër pritet t'i nënshtrohet një rikonstruksioni total të tij, në mënyrë që të krijohen të gjitha kushtet për kalimin e energjisë elektrike nga hidrocentralet më të mëdha të Veriut të Shqipërisë, në pjesën tjetër të vendit. Deklarata ka ardhur nga drejtori i Planifikimit të Zhvillimit të Operatorit të Transmetimit të Energjisë Elektrike, OST, Ylli Demiraj. Sipas tij, ka nisur puna për rikonstruksionin e të gjithë sistemit të transmetimit të energjisë elektrike në zonën e Shkodrës në bashkëpunim me KESH. Kjo është vazhdim i rikonstruksionit të Hidrocentralit të Vaut të Dejës, për të vijuar me rikonstruksionin e nënstacioneve "Shkodra 1" dhe "Shkodra 2" dhe me shpërndarjen deri te kabinat elektrike në lagje të ndryshme të Shkodrës. Kështu, përmirësimi i sistemit të transmetimit të energjisë elektrike në veriun e Shqipërisë, është kthyer në një domosdoshmëri pas marrëveshjes për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit Shqipëri-Mali i Zi, ku Shkodra do të jetë një pjesë tepër e rëndësishme e këtij projekti, i cili pritet të minimizojë problemet në importimin e energjisë elektrike.

Shtatë komunat e qarkut të Shkodrës që do të preken nga ndërtimi i linjës së interkonjeksionit 400 Kilovolt, e cila fillon nga Tirana dhe përfundon në Podgoricë të Malit të Zi, kanë filluar nga puna për krijimin e kushteve të nevojshme të terrenit. Nën drejtimin e kryetarit të Këshillit të Qarkut Shkodër, Gjovalin Kolombi, është organizuar një takim me përfaqësues të komunave të qarkut Shkodër që preken nga kjo linjë, si dhe përfaqësues të OST-së, të cilët kanë diskutuar për problemet që ndeshen në zbatimin e këtij projekti. Problemi më i rëndësishëm është ai i shpronësimit të tokave në të cilat do të kalojë kjo linjë mjaft e rëndësishme për furnizimin me energji të vendit. Sipas z.Demiraj, kjo linjë e interkonjeksionit do të kushtojë 41.7 milionë euro dhe financohet nga kredi e qeverisë gjermane. Linja do të jetë 156 kilometra e gjatë. Përgjatë kësaj linje do të mundësohet vendosja e rreth 120 shtyllave të tensionit, të cilat, për nga përmasat e mëdha që kanë, kërkojnë një territor të gjerë toke për t'u vendosur.

Anila Dushi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›