E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fitorja e gënjeshtërt, hiqet gjoba, mbetet detyrimi

Sipas shoqatave të biznesit, qeveria e miratoi ligjin fshehurazi. Biznesi është njësoj i rrezikuar nga arbitrariteti i tatimeve

"Vendimi i Gjykatës Kushtetuese qe në drejtimin e duhur, por jo i plotë". Ky është konkluzioni i shtatë shoqatave të biznesit, të cilat vërejnë se Kushtetuesja ka shfuqizuar parapagimin 15% të gjobave, por nuk ka shfuqizuar parapagimin e taksave të kërkuara nga tatimet para të drejtës së apelimit. Situata e paraqitur dje nga shoqatat e biznesit, e bën fitoren e arritur në Gjykatë Kushtetuese një dështim të plotë përballë qeverisë. Me apo pa parapagimin e 15% të gjobës, biznesi është sot po aq i rrezikuar përballë tatimeve. Përfaqësuesit e biznesit, thanë gjithashtu se "qeveria kishte vepruar në mënyrë të fshehtë", se varianti i ligjit i dërguar në Parlament kishte ndryshuar pa u bërë i ditur më parë e për pasojë, Kuvendi ka miratuar qorrazi dhe pa debat, pjesën më problematike të legjislacionit të ri.

Si funksionon

Ligji ekzistues i jep të drejtë tatimorëve të vizitojnë një biznes dhe të rivlerësojnë detyrimin e tij financiar. Bazë për rishikimin e detyrimit mund të jetë gjithçka. Në të shkuarën, bazë janë marrë thjesht aludimet e tatimorëve për raportim çmimesh më të ulëta shitjeje, apo fshehje xhiroje. Biznese të ndryshme kanë marrë fatura prej qindra-mijëra eurosh dhe në një rast, prej 23 milionë eurosh, në formë "detyrimesh të shmangura". Varianti i parë i ligjit për procedurat tatimore, i jepte të drejtë biznesit të ankohej kundrejt këtyre rivlerësimeve pa patur nevojë ta shlyente detyrimin, por duhej që të vendoste garanci për vlerën e detyrimit, garanci që konfiskohej nëse ankimi procedural dështonte.

Pranohet gjerësisht se në Shqipëri, bizneset deklarojnë çmime të ulëta apo qarkullojnë mall pa fatura, për të shmangur taksat. Por metodat e "rivlerësimit të xhiros" nga ana e tatimeve janë aq qesharake, sa nuk bindin askënd. Një ndryshim i ri ligjor i dërguar në Parlament, synon të vendosë njëfarë rregulli, së paku përsa i takon rivlerësimit të çmimit të shitjes. Projektligji thotë se tatimet mund të përdorin të dhënat e INSTAT-it për çmimet e mallit përkatës në treg dhe në bazë të këtyre të dhënave, të dërgojnë fatura TVSH-je apo tatim-fitimi. Kjo është teoria e "çmimeve të referencës", të cilën vetë kryeministri Berisha e shpalli disa javë më parë. Është shumë e dyshimtë se një metodë e tillë do të garantojë ndershmëri para biznesit. Për një lloj produkti, fjala vjen, pantallona, çmimet e shitjes në treg variojnë nga 100 lekë te rrobat e përdorura, në 30 mijë lekë te dyqanet luksoze. Se kush do të jetë çmimi i referencës që do të merret parasysh, mbetet në dorë të tatimorit.

Të hutuar pas gjobës

Shoqatat e biznesit dje bënë të qartë se ato vetë si grup interesi dhe deputetët e opozitës që kritikuan "parapagimin e gjobës", u hutuan me këtë pjesë të ligjit të ri, duke harruar faktin se edhe pa parapagim gjobe, kompanitë janë të rrezikuara nga falimenti sa herë që një tatimor bën "rivlerësim detyrimi". Parapagimi i gjobës kaloi një debat të ashpër parlamentar, gjatë së cilit, qeveria pranoi të ulë përqindjen e kërkuar nga 25 në 15%. Nga eksperienca e viteve 2000-2002, kur sistemi ligjor kërkonte pikërisht parapagimin e gjobës dhe detyrimit, si parakusht për të fituar të drejtën e ankimimit, disa kompani mbyllën aktivitetin ose ndryshuan emër dhe deklaruan se, "tatimet e qeverisë socialiste po i luftonin ata si mbështetës të opozitës".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›