Korrupsioni, SHBA, shuplakë qeverisë
Sondazhi i realizuar nga IDRA, ka nxjerrë si rezultat se 47.2% e shqiptarëve mendojnë se inflacioni është rritur
USAID: Korrupsioni, rritje 13% në 2007
Shqiptarët mendojnë se këtë vit, gjendja ekonomike është më e keqe se një vit më parë
Sistemi gjyqësor vlerësohet nga ana e shqiptarëve si një nga hallkat kryesore të korrupsionit në vend. Pothuajse 60% e shqiptarëve, në son¬dazhin 2008, thonë se kanë pak ose aspak besim në këtë sistem. Njerëzit që mendojnë se gjyqtarët nuk janë të paanshëm në drejtimin e proceseve gjyqësore, janë më shumë se trefishi i atyre që mendojnë se gjyqtarët janë të paan¬shëm.
Shqipëria e vitit 2007, është më e korruptuar se ajo e vitit 2006. Rezultati është nxjerrë nga një sondazh që është realizuar nga IDRA, me financim të USAID. Rezultatet e këtij sondazhi janë paraqitur nga vetë ambasadori amerikan në Tiranë, John L.Ëithers gjatë një takimi që ai pati me studentë dhe drejtues të Fakultetit Ekonomik. Sipas sondazhit të realizuar nga ana e IDRA-s për vitin 2007 dhe 2 muajt e parë të 2008, korrupsioni i perceptuar në Shqipëri vazhdon të mbetet i lartë. Pothuajse 92% e të intervistuarve në sondazhin e publikut të gjerë 2008, thonë se korrupsioni ndërmjet zyrtarëve publikë është "Shumë i përhapur" ose "Deri diku i përhapur". Pothuajse gjysma e personave të pyetur (47.2%), mendon se korrupsioni është rritur gjatë vitit të fundit 13% më shumë se në sondazhin e 2006-ës. Si në 2006, njerëzit i shohin shumicën e institucioneve përgjithësisht të korruptuara, duke u dhënë atyre më shumë se 50 pikë, në shkallën nga 0 deri në 100, ku 0 = shumë i ndershëm dhe 100 = shumë i korruptuar.
Renditja e korrupsionit
Drejtuesit fetarë, ushtarakët, media, Presidenti, mësuesit dhe drejtuesit e OJF-ve shihen si më të ndershëm. Ndërsa doganierët, mjekët, punonjësit e taksave, deputetët dhe ministrat shihen si më të korruptuarit. Perceptimet mbi median janë përmirësuar me më shumë se gjashtë pikë në 2008, krahasuar me 2006 (nga 42 në 35.5). Perceptimet mbi ministrat dhe deputetët janë përkeqësuar nga 2006; ministrat me 7 pikë; deputetët me 7 pikë. Sipas raportit, perceptimi i korrupsionit duket të jetë shumë i lidhur me prirjet politike të të intervistuarve. Ndërkohë që 61% e të intervistuarve me prirje të majta, thonë se korrupsioni ndërmjet zyrtarëve publikë është rritur gjatë vitit të fundit, vetëm 38,5% e të intervistuarve me prirje të djathta mendojnë të njëjtën gjë. Megjithatë, kjo përqindje e të intervistuarve me prirje politike të djathta, është 20% më shumë se në sondazhin e 2006. Një fakt i tillë forcon bindjen se "sëmundja" që mban emrin korrupsion ka patur përparime të dukshme gjatë këtij viti, pavarësisht deklaratave thuajse të përditshme të Kryeministrit, ku kryefjala është lufta dhe njëkohësisht, fitoret në radhë të qeverisë ndaj këtij fenomeni. Ndërsa, përsa i përket ryshfeteve të dhëna gjatë vitit të fundit, rezulton se në vend të parë renditen mjekët, ku 69% e të intervistuarve që kanë vizituar spitalet apo klinikat publike gjatë vitit të kaluar, raportuan se kanë paguar ryshfete për trajtim mjekësor. Vetëm 10% e të intervistuarve thanë se u është kërkuar nga një polic të paguajnë ryshfet, megjithatë 27,3% deklaruan se kanë parë dikë t'i japë ryshfet një polici. 11% e të intervistuarve thanë se u është kërkuar të paguajnë ryshfet nga një zyrtar publik gjatë vitit të kaluar, ndërsa gati 15% deklarojnë që kanë parë dikë t'i japë një ryshfet një zyrtari publik. Nga ata të intervistuar që kanë pasur të bëjnë me gjykatat (8% e kampionit), pothuajse 1 në 3 raportoi se paguar ryshfet.
Sondazhi, ekonomia në krizë
Pjesa më e madhe e shqiptarëve në sondazhin 2008 (60,4%) e vlerësoi situatën e përgjithshme ekonomike të vendit, si "E keqe ose shumë e keqe", pothuajse 13% më shumë se në 2006 (47,8%) Të pyetur për krahasimin e situatës ekonomike me një vit më parë, 54% e të intervistuarve thanë se gjendja këtë vit është më e keqe. Qytetarët janë gjithashtu më pesimistë në lidhje me të ardhmen ekonomike. Pothuajse 28% e publikut të gjerë mendojnë se situata ekonomike e vendit do të përkeqësohet vitin e ardhshëm, 16% më shumë se në sondazhin e 2006.
Raporti ka nxjerrë se institucioni i vetëm që ndihmon në luftën kundër korrupsionit mbetet Media
Media, e vetme në luftën kundër korrupsionit
Si në 2006, media vazhdon të shihet si institucioni i vetëm që përgjithësisht ndihmon në luftën kundër korrupsionit, duke mbajtur vendin e parë, me diferencë të konsiderueshme nga institucionet e tjera me 63.3 pikë (në shkallën 0 deri në 100, ku 0 është "Nuk ndihmon aspak" dhe 100 është "Ndihmon shumë"). Të gjitha institucionet e tjera vlerësohen me më pak se 50 pikë në shkallën e vlerësimit, që do të thotë se përgjithësisht shihen nga publiku si institucione që nuk ndihmojnë në luftën kundër korrupsionit. Vendin e dytë në largësi e mban Shoqëria Civile, me 48,4 pikë. Me 36,1 pikë, ILKDP (Inspektorati i Lartë i Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive) vlerësohet se jep më pak ndihmesë në luftën kundër korrupsionit. Gjykata dhe Prokuroria e Përgjithshme tregojnë një përmirësim të lehtë të imazhit nga sondazhi i 2005. Perceptimet për kontributin e institucioneve të tjera në luftën kundër korrupsionit, nuk kanë ndryshuar.
Transparenca
Transparenca, sipas perceptimit të publikut, mbetet një çështje kritike për institucionet në Shqipëri. Të gjitha institucionet shënojnë më pak se 50 pikë në një shkallë nga 0 në 100, ku 0 është "Aspak transparent" dhe 100 është "Shumë transparent". Policia vazhdon të vlerësohet më mirë me 46,9 pikë dhe Agjencia për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave (AKKP) ka vlerësimin më të dobët me 27,3 pikë. Qeveria dhe Parlamenti tregojnë një përkeqësim te perceptimit publik të transparencës nga 2005 në 2008.
Besimi
Besimi i qytetarëve tek institucionet vazhdon të mbetet i ulët. Shumica e institucioneve janë vlerësuar me më pak se 50 pikë, në shkallën nga 0 në 100, ku 0 është "Aspak besim" dhe 100 është "Shumë besim". Drejtuesit fetarë, ushtarakët dhe policia janë institucionet më të besuara; Qeveria (40), Parlamenti (39.5), Sindikatat (36.9), Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (32.1) dhe Partitë Politike (31.9) janë më pak të besuarat. Krahasuar me sondazhet e mëparshme, vetëm gjykatat dhe Prokuroria e Përgjithshme tregojnë një përmirësim të lehtë nga 2005. Prirjet politike kanë gjithashtu ndikim në nivelin e besimit të qytetarëve ndaj institucioneve. Qytetarët me prirje të djathta i besojnë qeverisë më shumë sesa qytetarët me prirje të majta (57 pikë kundrejt 30 pikëve). E njëjta gjë mund të thuhet për Parlamentin.
"Elita politike duhet të marrë përgjegjësinë në luftën kundër korrupsionit në mënyrë domethënëse, jo thjesht nëpërmjet fjalëve"
Withers: Shuplakë qeverisë për korrupsionin
"Të hiqet imuniteti. Askush nuk duhet të ketë imunitet nga procedimi për akte të jashtëligjshme"
Persona të ndryshëm më kanë treguar për doktorë që nuk shohin kartelën e pacientit apo nuk e regjistrojnë fare vizitën, por bëjnë pyetje mbi të ardhurat dhe gjendjen financiare. Nëse përgjigjet tregojnë se pacienti është i varfër, ai nuk merr trajtim mjekësor. Nëse pacienti është i pasur, doktori bën llogari sa të lartë mund t'ia vërë tarifën.
Njerëzit shprehin zemërim të madh për faktin se policia u bie daulleve me krenari për një rast korrupsioni të zyrtarëve të lartë, por pastaj, javët kalojnë, muajt kalojnë dhe se si ndodh që akuzat lehtësohen, që disa çështje pushohen, që asnjë nuk ndëshkohet.
Një anëtar i Parlamentit, Tom Doshi, rrahu një gazetar sepse ky bëri pyetje të vështira. Raporti për të Drejtat e Njeriut, vitin tjetër nuk do t'i japë Shqipërisë notë kaluese në këtë kategori. Është premtuar një hetim i rastit, por nuk është dëgjuar më tepër.
Në Shqipëri unë kam folur mbi një numër çështjesh. Shumica e tyre kanë qenë tema të gëzueshme për mua: ftesa e Shqipërisë për anëtarësim në NATO, pavarësia e Kosovës, dhe pak për kulturën dhe historinë shqiptare. Tema e sotme, fatkeqësisht, nuk është një nga ato temat e gëzueshme; tema e sotme është korrupsioni. Sot ne po publikojmë rezultatet e një sondazhi mbi korrupsionin, kryer nga Instituti i Drejtor Pashës. Sondazhi mat si perceptimin, ashtu edhe përvojat e qytetarëve me korrupsionin. Të rejat fatkeqësisht nuk janë të mira. Sipas sondazhit, 92% e shqiptarëve thonë se korrupsioni është i përhapur në zyrtarët publikë dhe ka një rënie prej 8 pikësh krahasuar me vitin e kaluar. Raporti tregon se nuk ka përparim në treguesit e ryshfetit. Afërsisht 70% e njerëzve të intervistuar thanë se kanë paguar një ryshfet për trajtim mjekësor. Rreth 60% kanë shumë pak besim te sistemi gjyqësor. Në një raport 3 me 1, shqiptarët nuk mendojnë se gjyqtarët janë të paanshëm kur kryejnë gjykime. Në shumë biseda me qytetarë shqiptarë, jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë vendin, kam parë se pothuajse çdo person ka patur histori që flisnin për korrupsionin. Më lejoni t'ju përmend vetëm pak prej tyre. Njëri më tregoi për fëmijë të vegjël që janë duke mësuar abetaren dhe u thuhet nga mësuesja e tyre ditën para Ditës së Mësuesve, "Thuaju prindërve që nuk dua lule nesër!". Çfarë lloj mësimi është ky për një shtatëvjeçar? Çfarë i mëson kjo një shtatëvjeçari? Çfarë modeli i jepet për të ardhmen? Persona të ndryshëm më kanë treguar për doktorë që nuk shohin kartelën e pacientit, apo nuk e regjistrojnë fare vizitën, por bëjnë pyetje mbi të ardhurat dhe gjendjen financiare. Nëse përgjigjet tregojnë se pacienti është i varfër, ai nuk merr trajtim mjekësor. Nëse pacienti është i pasur, doktori bën llogari sa të lartë mund t'ia vërë tarifën. Shumë njerëz më kanë treguar për vështirësitë e tyre për t'u pajisur me dokumente bazë, si patenta, certifikata lindjeje apo tituj pronësie. Ata më tregojnë se si iu duhet të presin me orë të tëra, ndonjëherë edhe me ditë apo javë të tëra, për të marrë dokumente bazë për veten e tyre, kjo në rast se nuk janë të gatshëm të japin 200, 500 apo 1,000 lekë që të kalojnë pa radhë. Njerëzit shprehin zemërim të madh, për faktin se policia u bie daulleve me krenari për një rast korrupsioni të zyrtarëve të lartë, por pastaj javët kalojnë, muajt kalojnë dhe se si ndodh që akuzat lehtësohen, që disa çështje pushohen, që asnjë nuk ndëshkohet. Tani, më lejoni të jem më i qartë: korrupsioni nuk është një problem vetëm shqiptar; korrupsioni ekziston kudo. Ka shumë korrupsion edhe në vendin tim, në ShBA - nëse merr në dorë çfarëdo gazete, do të shohësh reportazhe mbi raste korrupsioni. Por, përbërësi kryesor nuk është nëse korrupsioni ekziston, por si mund t'i përgjigjemi. Një nga gjërat që më duken shqetësuese është se shumë herë, kur flas me miqtë e mi shqiptarë, i pyes: "Më treguat gjithë këto histori për korrupsionin. Po çfarë mund të bëhet për të?". Dhe ata përgjigjen duke ngritur shpatullat: "Të lutem, Ambasador, këtu nuk jemi në ShBA, por në Shqipëri". Unë nuk e pranoj këtë përgjigje. Shqiptarët e vlerësojnë ndershmërinë po aq shumë sa popujt e tjerë në botë dhe popujt që unë njoh. Shqiptarët e urrejnë korrupsionin. Ata e urrejnë faktin që një pakicë njerëzish të korruptuar, prishin sistemin në tërësi. Dhe në veçanti, nuk më pëlqen nënkuptimi në atë përgjigje, se korrupsioni është një simptomë e kulturës shqiptare; nuk është kështu. Çdokush që e njeh popullin shqiptar e di se ai është një shkelje e kodit etik dhe moral të shqiptarëve. Kultura shqiptare, e vendos ndershmërinë dhe integritetin mbi çdo gjë tjetër. Për shqiptarët, një fjalë e dhënë, është një fjalë e mbajtur. Dhe parimi i Besës, virtyti klasik i shqiptarëve, është një lidhje që nuk mund të thyhet. Pra, e përsëris, gjithkush që mendon se korrupsioni është i natyrshëm për shqiptarët, e ka gabim; korrupsioni është dhunim i asaj çka do të thotë të jesh shqiptar. Atëherë, çfarë mund të bëhet? Më lejoni të flas mbi dy tema të veçanta. E para, trajtimi i korrupsionit është një përgjegjësi e nivelit të lartë. Elita politike e këtij vendi, duhet të marrë përgjegjësinë në luftën kundër korrupsionit në mënyrë domethënëse, jo thjesht nëpërmjet fjalimeve dhe fjalëve. Dhe, kur them elita politike, më lejoni të jem i qartë: Nuk po e drejtoj gishtin kah qeveria, apo opozita, apo ndonjë grup i caktuar politik, apo individ; e gjithë elita politike duhet të marrë përgjegjësinë. Dhe kjo do të thotë që udhëheqësit politikë duhet të denoncojnë aktet e korrupsionit, edhe kur këto kryhen prej kolegëve të tyre. Nuk duhet të përdorin ndikimin, për të mbrojtur miqtë apo të afërmit dhe nuk duhet të përdorin pushtetin politik, për të ndryshuar rrjedhën e drejtësisë. Elita politike e Shqipërisë duhet të udhëheqë përmes shembullit të vet. Një hap i rëndësishëm i drejtpërdrejtë që mund të ndërmerret është ndryshimi i ligjit për imunitetin, i cili mbron zyrtarët e lartë në gjykata, në Parlament dhe në poste të tjera nga procedimi. Ata duhet të jenë po aq përgjegjës ligjërisht, sa çdo qytetar shqiptar. Me fjalë të tjera, askush nuk duhet të ketë imunitet nga procedimi për akte të jashtëligjshme. Dhe, udhëheqja politike e Shqipërisë duhet të fuqizojë institucionet që kërkojnë të bëjnë drejtësi; të fuqizojë prokurorët që vihen pas kriminelëve dhe të bëjnë të qartë që kushdo qoftë i dyshuar, pavarësisht nga pasuria, pavarësisht nga lidhjet familjare, pavarësisht nga lidhjet politike, do t'i nënshtrohet procedimit. Më lejoni të përmend një shembull të asaj që dua të them: ishte kënaqësi që në Raportin më të fundit për të Drejtat e Njeriut, për vitin 2007, nuk pati raportime për dhunë kundër gazetarëve. Megjithatë, ditën përpara se raporti të bëhej publik, një anëtar i Parlamentit, Tom Doshi, rrahu një gazetar sepse ky bëri pyetje të vështira. Raporti për të Drejtat e Njeriut, vitin tjetër nuk do t'i japë Shqipërisë notë kaluese në këtë kategori. Është premtuar një hetim i rastit, por nuk është dëgjuar më tepër. Nuk mund të gjykoj nëse z.Doshi ishte fajtor apo i pafajshëm në atë që bëri, por pyetja ime është: A do të ketë dëgjim të barabartë të të dyja palëve? Gjithashtu, ngre pyetjen: Çfarë po bën media? Media ka rol të rëndësishëm, sidomos në mbrojtjen e një anëtari të vet. Me sa kam dijeni, asnjë gazetë nuk e raportoi këtë incident, deri disa ditë pasi kish ndodhur. Pyetja ime është: A po e ndjek media rastin tani? Dhe, a nuk është detyra e tyre ta ndjekin këtë çështje? Tema e dytë që dua të diskutoj, është përgjegjësia publike. Me këtë, dua të them qytetarët që shohin korrupsion apo janë viktima të korrupsionit, duke protestuar, duke e kritikuar, duke denoncuar raste të korrupsionit, duke kërkuar më shumë nga udhëheqja e vendit për të bërë diçka për korrupsionin. Profesionet mund të vendosin rregull brenda vetes; profesionet mund të ndihmojnë në eliminimin e korrupsionit brenda radhëve të veta. Për shembull, nëse asgjë nuk i ndodh mjekut që merr ryshfet, njollosen emrat e qindra mjekëve që shpëtojnë jetë. Nëse asgjë nuk i ndodh gjyqtarit që përdor një "Touareg" që kushton 30,000 euro, njollosen emrat e të gjithë gjyqtarëve që japin vendime të ndershme dhe të drejta çdo ditë. Nëse asgjë nuk i ndodh policit që njofton kriminelin përpara operacioneve të policisë, e gjithë trupa policore prej 15,000 oficerësh njolloset dhe dobësohet.
Nëse asgjë nuk i ndodh zyrtarit që një ditë gdhihet i pasur, e gjithë Administrata Publike njolloset dhe dobësohet. Unë nuk e pranoj përgjigjen që korrupsionit nuk i bën dot gjë. Askush nuk mund të më bindë, që të ashtuquajturit "të fortë" në këtë vend, të jenë më të fuqishëm sesa mijëra prindërit që duan shkollim të denjë për fëmijët e tyre, apo se sa të rinjtë si ju që duan të jetojnë këtu në një shoqëri të lirë, të hapur dhe të ndershme. Dëgjova historinë e një drejtoreshe spitali në një qytet verior, e cila mësoi që infermieret kërkonin ryshfet, për t'u treguar pacientëve ku ishin zyrat e mjekëve. Ajo thjesht vendosi shenja treguese që tregonin si shkohej në zyrat e mjekëve dhe kjo arriti të pakësonte ryshfetet. Dëgjova për një agjenci që lëshon dokumente të caktuara që i dha fund problemit të njerëzve që nuk mbanin radhë duke paguar ryshfet, duke vendosur një sistem takimesh me orar: çdo person arrinte në një kohë të caktuar, takonte zyrtarin përkatës dhe nuk paguante ryshfet. Cila është rëndësia e marrjes së përgjegjësisë nga qytetarët? Më lejoni të lexoj citimin e një shqiptari shumë të respektuar, At Anton Harapi, i cili, përpara se të ekzekutohej në vitin 1947, tha: "A e dini se çdo ndërtese i vihen themelet n'dhe? Edhe n'vorr në hyjshim, duhet t'jemi gurt e themelit t'asaj binaje t'cilën sot e quejm Shqipni". Zonja dhe zotërinj, korrupsioni nuk është lojë: është luftë. Ka një dhe vetëm një arsye për fjalët e mia sot këtu: dhe ajo është sepse unë e di që mund ta fitoni këtë luftë, sepse qeveria ime do që ju ta fitoni këtë luftë, dhe sepse çdo shqiptar do që të fitojë.
Fjala e Ambasadorit të ShBA, Xhon L.Uidhers II në publikimin e
Sondazhit Perceptime dhe Përvoja me Korrupsionin në 2008
Kryer nga IDRA dhe Financuar nga USAID