Diskutohet për mandatin e EULEX-it

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi ka pritur shefin e operacioneve civile të BE-së, Hansjorg Haber, dhe shefin e EULEX-it, Berndt Borchardt, me të cilët ka biseduar për mandatin e EULEX-it deri në vitin 2014 dhe planin për tranzicionin e tij, si dhe angazhimin e EULEX-it në implementimin e marrëveshjes se arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Sipas njoftimit nga Ministria e Drejtësisë, takimi kryesisht u përqendrua në tranzicionin e kompetencave nga EULEX-i në organet vendore, mënyrën e zhvillimit të kapaciteteve vendore dhe mënyrën si do të shkohet drejt përfundimit gradual të mandatit të EULEX-it. Palët ritheksuan rëndësinë që tranzicioni të bëhet në mënyrë sa me graduale, por me garanci që institucionet e Kosovës të ngrehin kapacitetet në atë shkallë që t’i bëjë ato të gatshme për kryerjen e detyrave të rëndësishme siç janë lufta kundër krimit e korrupsionit./Indeksonline/