Ambasada amerikane pret Thaçin, Mustafën, Haradinajn

Ambasada amerikane para dy ditësh ka qenë nikoqire e tre liderëve: atij të Partisë Demokratike Hashim Thaçi, të Lidhjes Demokratike Isa Mustafa, dhe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj.
“Po është mbajtur dje një mbledhje por nuk ka qenë për media. Por sikur të ishte diçka mediale dot’ i njoftonte mediat nikoqiri”, ka thënë zëdhënësi i AAK-së, Ernest Luma.
Ai ka treguar se në takim është biseduar për marrëveshjet në Bruksel.
“Aty është folur për marrëveshjet dhe zhvillimet e fundit”, ka thënë Luma.
Kurse deputeti i LDK-së Ismet Beqiri i pyetur në këtë ka thënë: “Nuk e kam një info të tillë”. Indeksonline ka pyetur edhe zv/kryeministrin Hajredin Kuçi por ai nuk ka kthyer ndonjë përgjigje.
Burime të Indeksonline bëjnë të ditur se gjatë takimit është biseduar për ratifikimin e marrëveshjes së Brukselit. Ndërkaq, takimi ka zgjatur rreth tri orë. Mësohet se fillimisht në ambasadë kishte qëndruar nënkryetari i AAK-së Blerim Shala. Indeksonline kishte raportuar se një ditë para votimit në Kuvend për marrëveshjen e 19 prillit, Mustafën e kishin takuar zyrtarë të ambasadës gjermane./Indeksonline./