Meta kërkon miratimin e 3 ligjeve, Berisha do, Rama nuk do

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta u bëri thirrje sot krerëve të dy partive të mëdha, Sali Berisha dhe Edi Rama, si dhe deputetëve të parlamentit që të votojnë 3 ligjet e cilësuara si ligjet e integrimit para shpërndarjes së parlamentit, që pritet të bëhet më 25 maj.
Sipas Metës, miratimi i ligjeve do të lejonte marrjen e statusit të vendit kandidat brenda këtij viti.
“Të bëjmë të mundur që këto 3 ligje të miratohen tani që jemi në mbyllje të sesionit parlamentar, në mënyrë që vendi të sigurojë mundësinë e marrjes së statusit të vendit kandidat brenda këtij viti. Nëse nuk tregohet vullnet, çështja e miratimit të këtyre 3 akteve mbetet një përgjegjësi shumë e madhe për parlamentin e ri dhe pak shanse që vendi të fitojë statusin e vendit kandidat brenda këtij viti”, u shpreh Meta në një konferencë për shtyp sot pasdite.
Mirëpo, si raporton BalkanWeb, derisa kryeministri Sali Berisha është shprehur edhe sot pasdite për miratimin e këtyre tri ligjeve, kreu i PS-së Edi Rama ende nuk ka pranuar që deputetët e PS-së të votojnë pro këtyre ligjeve që do t’i mundësonin Shgqiprisë marrjen e statusit të kandidatit për integrim në BE./Indeksonline/