E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gaddafi: Nuk më vrisni dot

Nga Express më 14 maj 2011 në ora 13:30

Lideri i Libisë, Muammar Gaddafi, i bëri sfidë NATO-s me anë të një porosie në televizionin shtetëror, ku theksoi se ai ndodhet në një vend ku ata nuk e vrasin dot, ndodhet në zemrat e miliona personave.

“U them frikacakëve (NATO-s) se unë jetoj në një vend ku nuk më vrisni dot, jetoj në zemrat e miliona personave”, theksoi lideri libian.

Këto komente të kolonel Gaddafit vijnë pasi ministri italian i Punëve të Jashtme, Franco Frattini, theksoi se diktatori libian mund të jetë plagosur.

Një zëdhënës i qeverisë libiane theksoi se kolonel Gaddafi ishte në gjendje tepër të mirë shëndetësore dhe shpirtërore.

Gjashtë shpërthime të mëdha – të cilat besohen të kenë qenë sulme të NATO-s - u dëgjuan në kryeqytetin e Libisë, Tripoli mbrëmjen e së premtes dhe mëngjesin e së shtunës.

Këto shpërthime ndodhën pasi televizioni shtetëror transmetoi një audio-porosi të Gaddafit, ku derdhte të gjithë mllefin kundër aleancës që po e sulmon.

Lideri libian falënderoi të gjithë ata miq të jashtëm të Libisë“,që kishin shprehur shqetësim të madh për shëndetin dhe sigurinë time pasi kanë dëgjuar për sulmin frikacak dhe të pabesë me raketa”.

“Pavdekshmëria është për martirët ndërsa vdekja dhe turpi janë për tradhtarët dhe zotërinjtë e tyre frikacakë”, shtoi ai.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›