E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetime për dhunën

Policia ka nisur hetimet ndaj disa personave që protestuan dhunshëm në Prishtinë, të enjten. Ata dëmtuan 18 vetura dhe thyen xhama të objekteve qeveritare. KMDLNJ-ja vlerëson se policët nuk i kanë provokuar protestuesit, por kanë qenë viktimë e tyre. E Policia thotë se nuk ka reaguar ashpër. Nga Lirita Halili më 14 maj 2011 në ora 08:15

Policia e Kosovës ka iniciuar procedurën hetimore për prishje të rendit dhe qetësisë publike dhe dëmtim prone, pas protestës së të enjtes në Prishtinë, organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje. Po ashtu, policia është e angazhuar intensivisht në identifikimin e të dyshuarve të përshirë në këtë rast.

Nëpërmjet një komunikate është bërë e ditur se, si pasojë e gjuajtjes me gurë dhe mjete të tjera të forta, janë dëmtuar 18 vetura, janë thyer një numër i xhamave të ndërtesës së Qeverisë, si dhe janë dëmtuar edhe disa pajisje policore (helmeta, mburoja etj).

Sipas vlerësimeve të policisë, në protestën kundër vizitës së shefit të delegacionit serb në bisedimet me Kosovës, Borko Stefanovic, kanë marrë pjesë rreth 400 persona.
“Rreth 50-60 persona nga ta kanë qenë të dhunshëm dhe të njëjtit kanë përdorur mjete të forta, ngjyrë dhe gurë, të cilat i kanë hedhur në drejtim të objektit të qeverisë dhe veturave zyrtare, me ç’rast në masë të konsiderueshme është shkaktuar dëmtim i pasurisë publike”, ka bërë të ditur policia.

Si pasojë e këtyre veprimeve, 15 zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore, tre prej të cilëve janë lënduar rëndë (lëndime trupore si fraktura, plagë të hapura, ndrydhje etj.) dhe janë nën kujdesin mjekësor.

Ndërkaq, sipas QKUK-së, gjashtë persona nga radhët e protestuesve kanë kërkuar ndihmë mjekësore.

“Policia për të parandaluar veprimet e tilla dhe pasojat nga këto veprime, është dashur të përdorë gazin lotsjellës dhe ndërkohë ka arrestuar dy protestues, të cilët pas konsultimit me prokurorin, janë liruar në procedurë të rregullt”, është bërë e ditur në komunikatën e policisë.

Policia nuk provokoi

Ndërkohë, sipas vlerësimeve të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut, në protestën para objektit të Qeverisë së Kosovës (ish-Rilindja) kanë marrë pjesë 600-700 protestues, ndërsa në protestën tjetër, para ndërtesës tjetër të Qeverisë, një numër më i vogël.

Sipas vlerësimeve të monitoruesve të KMDLNJ-së, Policia e Kosovës nuk ka qenë palë që e ka provokuar dhunën dhe është treguar shumë e përmbajtur. Por, po ashtu, policia nuk ka qenë e përgatitur për të mbajtur situatën nën kontroll dhe për të parandaluar eskalimin e situatës.

“Duket se Policia e Kosovës është zënë në befasi, prandaj edhe ka eskaluar situata. Një grup i protestuesve, afërsisht 100, ka kontribuar në eskalimin e situatës duke hedhur shishe të qelqit dhe gjësende të tjera të forta të marra nga kontejnerët e mbeturinave që ishin afër, në drejtim të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Gjithashtu, në drejtim të ndërtesës së Qeverisë u hodhën shishe me ngjyrë të kuqe, gjësende të tjera të forta dhe gurë duke thyer xhamat në ndërtesë dhe duke dëmtuar një numër të automjeteve të Qeverisë, Policisë së Kosovës dhe të gazetarëve të televizionit ‘Mir’ nga Leposaviqi”, vlerëson KMDLNJ-ja.

Sipas kësaj organizate, në protestën e organizuar para ndërtesës së ish-Rilindjes, cak i sulmit ishin pjesëtarët e Policisë së Kosovës, të cilët goditeshin me gurë nga afërsia, ndonëse ata nuk intervenonin, por qëndronin para laurës. Ndërkaq, në protestat e organizuara para ndërtesës së Qeverisë në qendër të qytetit, gurët hidheshin në ndërtesë, kurse policët kurseheshin.

KMDLNJ-ja shpreh shqetësimin për dhunën e shfaqur në protestë dhe kujton se e drejta për të protestuar është e ligjshme dhe demokratike.

“Mirëpo, një protestë ku rrezikohet jeta e njerëzve dhe prona e qytetarëve është e papranueshme, sepse i tejkalon caqet e një proteste paqësore. Hedhja e gurëve dhe sendeve të tjera të forta ka rrezikuar jetën e atyre që asgjë nuk kishin të bënin me vizitën e zyrtarit serb. Deri në momentin e eskalimit të situatës, protesta ishte demokratike dhe shumë e ligjshme. Vlerësimi i KMDLNJ-së është se Policia e Kosovës nuk ka qenë shkaktare e eskalimit të situatës dhe nuk e ka provokuar dhunën”, vlerëson kjo organizatë nëpërmjet një komunikate.

Edhe Policia e Kosovës ka vlerësuar se nuk ka ndonjë indikacion të tejkalimit të autorizimeve nga reagimi policor, në mbrojtje të jetës dhe të pronës së qytetarëve.
“Sidoqoftë, Policia e Kosovës është duke shqyrtuar të gjitha raportet policore rreth përdorimit të forcës së domosdoshme dhe proporcionale”, thuhet në komunikatë.
Sipas komunikatës, policia çdoherë respekton të drejtën e garantuar për protestë, por nuk do të tolerojë veprimet e dhunshme ku rrezikohet jeta e qytetarëve dhe zyrtarëve policorë, ose dëmtohet prona private apo publike.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›