Në hall me Borkon
Një ditë pas vizitës së Borko Stefanovicit, ku u lënduan disa qytetarë dhe u dëmtuan makina të Qeverisë, analistët politikë kanë shprehur vlerësime të ndryshme për takimet e para pa ndërmjetësues ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Derisa Stefanovic ka thënë se ka vizituar Prishtinën si pjesë të territorit serb, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës kanë konstatuar se Serbia po shkon drejt njohjes faktike të pavarësisë.
Analisti Shkëlzen Maliqi konsideron se takimi i së enjtes ndërmjet Borkos dhe zyrtarëve të Kosovës shkon më shumë në favor të Serbisë. Megjithëse thotë se duhet të priten efektet e takimit të parë pa ndërmjetës ndërmjet dy shteteve.
“Është vështirë të thuash a ka fitues, a jo. Ky është takim më shumë simbolik. Ka domethënie më shumë për Serbinë. Është një hap nga ana e tyre që po duket se është mjaft i guximshëm”, ka thënë Maliqi për Express, të premten.
Me gjithë guximin e të dy palëve që të takohen pa ndërmjetësues, Maliqi porosit Prishtinën që të mos i ngatërrojë takimet në Prishtinë me ato në Bruksel.
“Unë nuk e shoh këtë vizitë si sherr, ky është një paralajmërim i mirë se krejt procesi po shkon në drejtim të duhur. Duhet pasur kujdes mos me ngatërru dialogun e Brukselit me takimet e drejtpërdrejta”, ka deklaruar Maliqi.
“Ne duhet t’i dëgjojmë ofertat e Beogradit. Nuk duhet të pajtohemi”.
Ndryshe mendon Belul Beqaj, komentator politik.
Ai thotë se zyrtari serb arriti qëllimin që të aktualizojë dhunën në Kosovë dhe t’i thellojë ndasitë politike në Prishtinë.
“Qëllimi i Stefanovicit ka qenë ta realizojë një paradë. Ai e ka realizuar qëllimin e vet, e ka aktualizuar dhunën në Kosovë. E ka paraqitur veten si paqësor dhe Serbinë si paqësore. I ka thelluar ndasitë në mes shqiptarëve dhe punën e tij e ka kryer”, ka thënë Beqaj, për Express, të premten.
“A ia ka vlejtur t’i jepet viza që të vijë në Kosovë për t’i lënduar 25 apo tridhjetë persona dhe t’i dëmtojë 20 vetura?”, ka pyetur Beqaj.
“Serbia e ka arritur qëllimin e vet, sepse ata janë në proces të kandidimit në BE. Ata mendohen se qysh ta prishin Kosovën e jo qysh ta njohin. Humbësi po dihet dhe fituesi po dihet”, ka shtuar Beqaj.
Sipas tij, nuk ka asnjë rezultat pozitiv të Kosovës nga vizita e kryenegociatorit serb.
“Erdhi këtu, i lëndoi 30 veta, bëri hasëm ndërmjet policisë dhe Vetëvendosjes e qytetarëve. Nuk jemi të pjekur, seriozë dhe të përgjegjshëm”, ka konstatuar ai.
Sipas Beqajt, qëllimi i Serbisë është që të paraqitet se është në proces të përmirësimit të marrëdhënieve me vendet fqinje dhe të fitojë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE.
“Serbia e ka arritur qëllimin e vet, sepse ata janë në proces të kandidimit në BE. Ata mendohen se qysh ta prishin Kosovën, e jo ta njohin”.
Mendim të ngjashëm ka edhe Shkëlzen Maliqi.
“Ata (liderët serbë) i kanë punët ngushtë me Brukselin. Ideja e tyre është që sa më parë të fitojnë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE. Janë disi në nguti të madhe në Serbi që të provojnë që para zgjedhjeve atje t’i kryejnë disa punë, në mënyrë që të dalin faqebardhë para votuesve atje. Pushteti atje nuk e ka aspak të sigurt se do t’i kalojë zgjedhjet mirë”, thotë Maliqi.
“Ata janë në nguti, por pala jonë nuk duhet të ngutet. Ata po luajnë me dy-tri opsione”, ka thënë ai.
Maliqi sheh ndryshim të politikës aktuale në krahasim me pushtetin në kohën e Koshtunicës.
Megjithëkëtë, ky analist thotë se pas takimit, mund të fshihet edhe ndonjë ide e vjetër serbe për ndarjen e Kosovës.
“Krejt ideja e tyre është që të kenë një kompensim. Këtë e ka thënë edhe Tadici, që ata kërkojnë njëlloj kompensimi. Është e njohur ajo formula e tyre që thonë se nuk është fer që shqiptarët krejt e serbët asgjë. Ata ishin pajtuar me njëlloj kompensimi që të fitojnë një pjesë të Kosovës”, ka thënë Maliqi.
Ai ka komentuar edhe veprimet e Vetëvendosjes, duke e cilësuar si vazhdim të politikës së kontestimit.
“Vetëvendosja po vazhdon të kontestojë gjithçka me Serbinë. Ata i kanë argumentet e njohura. Nuk është e thënë që të kacafyten dhe të hyjnë në konflikte të rrezikshme, që në esencë është kundër vullnetit të shumicës”, ka thënë Maliqi.
Ndryshe, Borko Stefanovic është takuar edhe katër herë të tjera me zyrtarët e Kosovës. Por, takimet e mëparshme kanë ndodhur në Bruksel, me ndërmjetësimin e evropianëve.
Në tri takimet Kosovë – Serbi, Borko dhe Edita Tahiri kanë biseduar për “çështje teknike”, ku hyjnë lëvizja e lirë, njohja e dokumenteve të udhëtimit, njohja e diplomave, kthimi i dokumenteve kadastrale dhe temat që kanë të bëjnë me telekomunikacionin.
Sqarohet Hajredini
Qeveria e Kosovës ka konfirmuar se i ka redaktuar fotot para se t’iu dërgohen medieve pas takimit me Borko Stefanovicin.
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi nuk e ka sqaruar pse nuk janë publikuar fotot origjinale, por ka thënë se zyrtari serb është pritur si çdo zyrtar tjetër shtetëror.
“Ne e kemi qitë foton që kemi pasur në takim dhe besoj që e keni parë edhe flamurin e Kosovës në këtë foto, jorastësisht, sikur që në tavolinë, po e them me bindje të plotë, sikur çdo përfaqësues të ndonjë shteti tjetër që e kam takuar. S’ka pasur dallim tjetër”, ka thënë Kuci.
Gazeta Express raportoi të premten se fotot e dërguara nga Kuçi dhe Edita Tahiri ishin të censuruara.
Ndryshe, gjatë ditës, Kuçi dhe Tahiri kanë thënë se në takimin me Borko Stefanovicin është vendosur nga një flamuri i vogël i Kosovës dhe i Serbisë në tavolinë, përderisa pas zyrtarëve qeveritarë të Kosovës ka qëndruar flamuri i madh i Kosovës, por jo edhe ai serb, pasi që, siç bëjnë të ditur burime nga këto takime, protokolli shtetëror i Kosovës nuk ka pasur mundësi të blejë flamur të madh.
Zëvendëskryeministrja Tahiri është kujdesur që homologun e saj në procesin e bisedimeve, ta ulë përballë Deklaratës së Pavarësisë, e cila qëndron e varur në shumicën e institucioneve të Kosovës.
Përveç prerjes së fotografive për të mos u dukur flamuri serb, zyrat respektive të informimit kanë dërguar edhe komunikata të mangëta nga këto takime. Por zëvendëskryeministri Kuçi edhe për këtë gjen arsye.
“Po, normal, komunikatat e shprehin qëndrimin politik dhe jo krejt brendinë e takimeve, por ajo çka mund të them, është se dialogu, nuk kemi pasur iluzion që mund të lëvizë shpejt dhe nuk kemi as sot, por ne kemi hyrë në proces të dialogimit dhe do t’i respektojmë rregullat”, ka thënë ai.
Në anën tjetër, Shefi i ekipit serb në dialog me Kosovën, Borko Stefanovic ka reaguar ndaj deklaratave të politikanëve në Prishtinë se vizita e tij është një hap drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës.
"Kemi pasur rastin që do ta quaja në një atmosferë pune e konstruktive, të transmetojmë pikëpamjet tona dhe të përpiqemi për të zgjidhur problemet. Natyrisht, duke mos e braktisur pozicionin tonë të ditur mirë për statusin e Kosovës. Mendoj se kjo nuk ka qenë pengesë për bisedime të mira dhe po ashtu mendoj se edhe u vërtetua se kjo vizitë nuk ka pasur kurrfarë karakteri shtetëror dhe me të as që u konfirmua e ashtuquajtura pavarësi e Kosovës" , ka thënë Stefanovic, njofton B92.
Stefanovic ka thënë se në rrugët e Prishtinës u prit dhunshëm, derisa shpreson se me politikanët në pushtet do të arrijë marrëveshje.
"Automobili ynë është sulmuar dy herë dhe kundër nesh janë hedhur disa objekte, disa kuti të cilat kanë thyer xhaminë e përparmë të veturës. Kjo në radhë të parë tregon për ndarjen e madhe të spektrit politik në Kosovë dhe se ka të atillë që kundërshtojnë këtë dialog, por mendoj se në asnjë mënyrë nuk mund të ndalen proceset që kanë filluar dhe të cilat do të shpien drejt zgjidhjes së problemeve konkrete”, konsideron Stefanovic
Për dallim prej zyrtarit serbë, liderët e Kosovës kanë thënë se do të shkojnë në Beograd vetëm si zyrtarë shtetëror.
“Unë kam shprehur gatishmërinë që të shkoj në cilindo kryeqytet të botës, në të cilin do të trajtohem si zëvendëskryeministër i Republikës së Kosovës. Në këtë drejtim nuk bën përjashtim as Beogradi për mua. Natyrisht që dua të them ka pasur gatishmëri edhe më herët që dikush të mund të shkojë nga Kosova atje, por ne do të mundohemi t’i ndajmë dy çështje. Kontaktet bilaterale që mund të jenë me qëllim të relaksimit të ambientit dhe raporteve, nuk nënkuptojnë asnjëherë që do të largohen në çështjen e dialogut prezenca e BE-së dhe SHBA-ve”, ka thënë Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi.
Edhe Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, e cila udhëheq delegacionin e Kosovës në bisedimet me Serbinë, ka thënë se do të shkonte në Beograd, mirëpo për një vizitë të tillë, ajo ka thënë se ka kushte.
“Kushti kryesor është njohja e pavarësisë së Kosovës”, ka thënë Tahiri.