Thaçi fton Berishën për inaugurimin e rrugës
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka ftuar homologun e tij, Kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, për të marrë pjesë në ceremoninë e përurimit të fillimit të punimeve në autostradën Morinë, Vërmicë Prizren Prishtinë Merdarë. Nga ana e tij, Kryeministri Berisha, e ka mirëpritur ftesën e Kryeministrit Thaçi dhe ka shprehur gatishmërinë e tij dhe të qeverisë së Shqipërisë për të marrë pjesë në këtë eveniment madhështor. Ceremonia e përurimit të fillimit të punimeve të autostradës do të mbahet më 25 prill 2010, në Vërmicë, duke filluar në orën 13:00. Thaçi e ka vlerësuar moment jashtëzakonisht të rëndësishëm për Republikën e Kosovës pas shpalljes së pavarësisë së vendit.
Kreu i ekzekutivit të vendit ka theksuar se kjo autostradë do të jetë e një niveli të lartë, modern, me standarde të larta bashkëkohore, ndërkohë ka paralajmëruar se shumë shpejt do të shpallet fituesi edhe për koncesionimin e Aeroportit të Prishtinës. Ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Fatmir Limaj, ka njoftuar se janë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e punimeve, ndërkaq ka ftuar gjithë zyrtarët dhe qytetarët e Kosovës që këtë vikend ta kalojnë në Vërmicë.
Në mbledhjen e sotme të qeverisë, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Enver Hoxhaj, ka njoftuar kabinetin qeveritar me përgatitjet që janë duke u bërë për hapjen e Universitetit të Prizrenit.