E Diel, 1 Nëntor 2026

Dita Botërore e Ndihmës së Parë, rreth 700 pajisje të reja për urgjencat mjekësore

TIRANË, 12 shtator/ATSH/ Rreth 700 pajisje të reja mjekësore do t’u shtohen 12 qendrave shëndetësore që ofrojnë shërbim 24/7 dhe 7 spitaleve bashkiake në të gjithë vendin, me synim forcimin e kapaciteteve për përballimin e urgjencave shëndetësore pranë komuniteteve.

Investimi, i prezantuar në kuadër të Ditës Botërore të Ndihmës së Parë, realizohet përmes projektit “Solidar – Bashkë në Emergjencat Shëndetësore”, në bashkëpunim mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe Ambasadën Zvicerane në vendin tonw.

Pajisjet përfshijnë defibrilatorë, aparate elektrokardiogrami dhe mjete të tjera të nevojshme për menaxhimin e rasteve urgjente dhe përgjigjen më të shpejtë ndaj pacientëve.

Zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Eugena Tomini, tha se pajisjet do të mundësojnë ofrimin e shërbimit më pranë vendbanimit të qytetarëve, duke ndihmuar në diagnostikimin e hershëm dhe në përmirësimin e reagimit të personelit shëndetësor.

“Këto pajisje do t’i japin një shërbim cilësor, por sigurisht do të shkurtojnë dhe kohën e reagimit të personelit shëndetësor ndaj patologjive apo problematikave të ndryshme”, deklaroi Tomini.

Sipas Tominit, forcimi i kapaciteteve të kujdesit parësor në menaxhimin e emergjencave synon të përmirësojë cilësinë e shërbimit dhe sigurinë e qytetarëve, duke mundësuar ndërhyrje më të shpejtë dhe diagnostikim më të hershëm të rasteve urgjente.

Projekti “Solidar” mbështet forcimin e kujdesit parësor në fushën e emergjencave shëndetësore, me fokus rritjen e kapaciteteve lokale për përgjigjen ndaj nevojave të pacientëve.

/e.i/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›