E Diel, 1 Nëntor 2026

Dita Botërore e SIDA-s: Shoqatat: “Mjekët u ndërpresin ilaçet pacientëve”

Autori i Lajmit: E.D
Statistikat më të fundit flasin për 400 raste me HIV/AIDS në Shqipëri. Prej tyre 21 të infektuar me virusin vdekjeprurës janë fëmijë nën 14 vjeç. Megjithëse specialistët vënë në dukje se numri i të prekurve me “virusin e shekullit” po vjen duke u rritur, vendi ynë ka një prevalencë të ulët nisur nga 379 rastet e konstatuara deri më tani. Sipas të dhënave zyrtare nga autoritetet shëndetësore, vetëm për këtë vit janë raportuar 55 raste të reja me HIV, ndërkohë që vitet e mëparshme numri ka qenë më i ulët. Gjithsesi, mendohet se ka një numër shumë të madh të rasteve të padiagnostikuara.

21 fëmijë të prekur

Në 55 rastet e reja me HIV/AIDS të diagnostikuar këtë vit, 2 prej tyre janë fëmijë të vegjël. Konfirmimi u bë dje nga Shoqata e Personave të Prekur me HIV/AIDS në Shqipëri e mbledhur me rastin e Ditës Botërore të luftës kundr HIV/AIDS. Sipas të njëjtave burime mësohet se në Shqipëri janë 379 persona të prekur me sëmundjen e pashërueshme, mes të cilëve 21 janë fëmijë. Shumica e fëmijëve ka lindur me sëmundjen nga prindërit e prekur nga virusi. Brenda vitit 2009 nga SIDA në vendin tonë kanë gjetur vdekjen 2 fëmijë.

Trajtimi mjekësor

Por përveç sëmundjes që u rrezikon jetën dhe persekutimit që u bëhet në jetën e përditshme, anëtarët e Shoqatës, shprehen se shqetësimi më i madh për të infektuarit me virus është jokorrektësia e mjekëve. “Përderisa vazhdojmë të kemi raste të vdekjeve për shkak të AIDS do të thotë që AIDS është i fuqishëm ndaj sistemit shëndetësor shqiptar. Probleme ka në trajtimin me medikamente në ndërprerjet e herëpashershme, të cilat krijojnë probleme me trajtimin dhe sëmundja shfaq rezistencë ndaj ilaçeve”, pohoi dje për mediat kryetarja e Shoqatës së të Prekurve me HIV/AIDS në vendin tonë, e cila nuk pranoi të identifikohej me emër. Sipas kryetares së Shoqatës, prej mungesës së kujdesit nga stafi mjekësor ka pasur dhe humbje jete. “Cilësia e shërbimit nuk është e normave të duhura. Pacientët trajtohen në mënyrë jokorrekte dhe stigma ndaj nesh egziston dhe në stafin mjekësor. Kemi pasur raste kur në mungesë të kujdesit ka pasur dhe humbje jete. Pra mjekësia shqiptare është ende e papërgatitur para kësaj sëmundjeje”. Në Tiranë me rastin e Ditës Botërore kundër HIV/AIDS u organizua një panair me karakter informues dhe edukues nga disa shoqata, pranë hotel "Tirana". Të pranishëm në këtë takim ishin ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, si dhe drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli, të cilët dhanë dhe deklaratat e tyre në lidhje me këtë sëmundje në vend.

Përhapja në botë

Ndërkohë, në një raport të Kombeve të Bashkuara, paralajmërohet se Evropa Lindore dhe Azia Qendrore janë të vetmet rajone në botë ku shkalla e përhapjes së HIV ende po vazhdon të rritet. Raporti thotë se rreth 110 mijë njerëz të tjerë janë infektuar me HIV në vitin 2008, duke e çuar në 1.5 milion numrin e përgjithshëm në Evropën Lindore dhe Azi, krahasuar me 900 mijë sa ishte në vitin 2001. Raporti thotë se Ukraina dhe Rusia po përjetojnë epidemi të rënda në rritje. Ukraina e ka shkallën më të lartë të të infektuarve në tërë Evropën, me të paktën 1.6 % të të rriturve. Ndërkohë, sot aktivitete sensibilizimi në luftën kundër AIDS po zhvillohen në mbarë Botën.

Vasili: “Të eliminohet diskriminimi ndaj të prekurve me SIDA”

Në ditën Botërore të AIDS, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, ka lançuar mesazhin e eliminimit të diskriminimit ndaj të prekurve me sëmundjen e shekullit. Në një deklaratë për mediat, ai ka pohuar se është fakt që sot Shqipëria përballet me dimensione të reja të nivelit të prekjes nga kjo sëmundje vdekjeprurëse. Duke përmendur moton e luftës kundër AIDS “Akses për të gjithë”, në kuadrin e të drejtave të njeriut, ministri Vasili ka shtuar se priten rezultate gjithmonë e më tepër pozitive në luftën ndaj AIDS në vendin tonë. Nga ana tjetër, në Ditën Botërore të AIDS, shoqata e të Prekurve me këtë sëmundje ka pohuar problematikat që anëtarët e saj ndeshin në mjekimin që duhet të marrin për ta luftuar atë. “Mjekët nuk janë korrektë dhe shpesh ka ndërprerje të medikamenteve”, kanë apeluar ata. Të dhënat që ata japin për këtë vit janë 379 të prekur zyrtarisht të deklaruar me virusin HIV, ku 55 raste të reja janë shënuar vetëm gjatë këtij viti, nga të cilët 21 rezultojnë fëmijë të prekur me AIDS, ndërsa të vdekur janë shënuar dy persona.

Ky lajm është publikuar: 02/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›