E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama me deputetët, hapi i dytë pas 8 dhjetorit

Autori i Lajmit: Redaksia
Sot skadon afati që Partia Socialiste ka vënë për Kryeministrin Sali Berisha për hapjen e kutive të votimit. Por pavarësisht këtij afati duket se selia rozë ende nuk ka vendosur si do të procedojë më tej. Pikërisht për këtë çështje kryetari i socialistëve, Edi Rama ka diskutuar dje me disa prej deputetëve socialistë. Gjatë paradites së djeshme në selinë rozë, Rama është takuar fillimisht me kryetarin e Asamblesë Kombëtare, Gramos Ruçi dhe sekretarin për Çështjet Ligjore Fatmir Xhafaj. Më pas takimi ka vijuar me deputetët Sajmir Tahiri, Ilir Gjoni, Blendi Klosi dhe Damian Gjiknuri. Mësohet se është diskutuar pikërisht për qëndrimin që do të mbajë PS pas skadimit të afatit të vendosur për kryeministrin. Por burimet nga takimi pohojnë se nuk është konkretizuar asgjë. Madje të njëjtat burime pohojnë se Partia Socialiste nuk do të nisë protestat e paralajmëruara as në datën 3, një ditë pas skadimit të limitit kohor të vendosur për Berishën dhe as në datën 5 kur skadon një tjetër afat për kryeministrin këtë herë i vënë nga vendorët. Drejtuesit socialistë të njësive vendore kanë protestuar pak javë më parë kundër një sërë vendimesh të Qeverisë të cilat sipas tyre cenojnë autoritetin e pushtetit që ata drejtojnë. Nëpërmjet një deklarate të përbashkët ata caktuan 5 dhjetorin si afatin e fundit deri kur Kryeministri Sali Berisha duhet të reagojë për këtë shqetësim të tyre duke rishikuar ato ligje që cenojnë autoritetin vendor. Në rast të kundërt ata pohuan se do të nisin protestat dhe madje do të pezullonin shërbimet ndaj qytetarëve. Por duket se as vendorët nuk do ti përmbahen deklaratës për protesta dhe në këtë data limit do të mjaftohen me një deklaratë të përbashkët. Burimet pohojnë para se të hidhet hapi tjetër do të pritet data 8 dhjetor për të parë manifestimin e demokratëve në shesh dhe më pas do të vendoset.
Ky lajm është publikuar: 02/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›