E Diel, 1 Nëntor 2026

Dita Botërore pa Duhan, Shuperka: 39 % e popullsisë duhanpirës

TIRANË- Duhanpirja në vend qëndron ende në shifra të larta, ndërkohë që në prag të Ditës Botërore pa Duhan specialistët e shëndetit publik përcjellin mesazhe sensibilizuese për jetë të shëndetshme.

"Rreth 39 % e qytetarëve konsumojnë duhan, 60 % meshkuj dhe 18 % femra, ndërkohë që duhanpirja në moshën 13-15 vjeç është 11.5 % që i përket klasave të 8 dhe të 9-ta, si dhe viti i parë i shkollës së mesme", tha sot eksperti për problemet e duhanit, Roland Shuperka. Sipas tij, studimet tek studentët e infermieristikës, stomatologjisë dhe mjekësisë, 4 në 10 prej tyre pijnë duhan.

Tema e zgjedhur për Ditën Botërore pa Duhan për këtë vit është "Ndalimi i reklamave të duhanit, promovimit dhe sponsorizimit".

"Është arritje që sot nuk kemi reklama nga kompanitë e duhanit në rrugë, revista, gazeta, etj", tha Shuperka, ndërkohë që, sipas tij, kërkohet që të rritet çmimi, akzciza në mënyrë që të bëhet më pak e aksesueshme nga të rinjtë.

Duhanpirja shkakton dëmtim të mushkërive, të zemrës, sëmundshmëri më e shpeshtë, përkeqësim të astmës, etj.
(m.a/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›