E Diel, 1 Nëntor 2026

Në ujëvarën e Sotirës në Gramsh, mes magjisë që na ka dhuruar natyra (FOTO)

ujivara-e-sotires—-Nga Julian Hoxhaj—-

Gramsh- Shqipëria është padyshim një vend që në gjirin e vet mbart pasuri të mëdha natyrore. Zoti ka dashur që Shqipëria të jet një vend i tillë. Një vend që në 28 mijë kilometër katror të ketë pasuri që do të magjepsin dhe do të bënin përvete çdo kënd që merret me art apo që adhuron të bukurën.

Shpërndarja gjeografike e këtyre pasurive është pothuajse homogjene. Dhe nëse diku mungon një vepër e natyrës, gjendet një vepër e paraardhësve tanë. Njëri prej tyre e madje, kryemrekullia e natyrës në këtë vend, ajo është ujëvara e Sotirës. Ujëvara gjendet në rrëzë të malit të Tomorrit rreth një orë e gjysëm larg fshatit Sotirë në rrethin e Gramshit. Ndërsa vet ky fshat është 17 km nga qyteti i Gramshit. Dhe këtë herë për të eksploruar ujin që del prej gjirit të malit dhe përplaset me shkëmbinjt, është përsëri ekipi i Alpinizmit, Skive dhe Turizmit Malor që mer iniciativën për të bashkuar mbi 180 të rinj dhe të reja nga Elbasani dhe Vlora.

Mbërritja për në fshatin Sotirë i ngjante një udhëtimi si ai i Odiseut. Rruga që të çonte në këtë fshat ishte tejet e amortizuar. Më shumë se 90 minuta udhëtim në vetëm 17 km tregojnë se në çgjendje ishte rruga. Fshati Sotirë ka rreth 35 familje që jetojnë aty. Ekonomia e banorëve të këtij fshati është blektoria dhe bujqësia. Dhe pas viteve 90 edhe emigracioni. Kushtet e vështira të jetesës, mungesa e infrastukturës dhe largësia nga qyteti, ka bërë që shumë banorë ta braktisin fshatin dhe të lënë pas shtëpitë e heshtura të pushtuara nga shkurret. Por ky fshat ka një pasuri të çmuar. Ka ujëvarën që përveç se një bukuri natyrore, ka dhe legjendën e vet, të cilën na e rrëfen një banore e fshatit. Ajo na flet dhe për jetesën dhe kushtet e vështira të saj në këtë vend.

Fshati ynë ka qenë një fshat i madh me 300 shtëpi. Por është shpërngulur si fshat për në Gjirokasër. Atje është vendosur në një luginë dhe atje i kanë venë emrin Sotira. Ndërsa ujëvara ka qenë diku atje më lart si përrua, gratë e asaj zone shkonin dhe lanin rrobat. Siç na kanë treguar, befasisht uji tërhoqi leshin që gratë po lanin, duke humbur burimi. Më pas, këtu më posht (ku është sot ujëvara) dha shenja uji. Uji doli pikërisht këtu ku është sot ujëvara,- na tregon banorja e fshatit Sotirë.

Edhe pse fshati ka emër të krishterë, popullësia e tij është e gjitha myslimane. Aktualisht ky fshat ka 35 familje të cilat jetën e kanë lidhur me tokën dhe bagëtinë.  E ndoshta një ditë do të jenë pritësit e shumë vizitorëve që do të shkelin për të parë ujëvarën që fshihet mes maleve.

Vetëm pak metra poshtë ujëvarës ka nisur ndërtimi i një hidrocentrali, që për fat të mirë këtë herë nuk cënon ekzistencën e ujëvarës. Por nëse do të dihet të shfrytëzohet edhe ky hidrocentral në një të ardhme mund të shërbej për zhvillimin e zonës dhe të turizmit në të.

Por duke iu afruar ujëvarës, ndjesia e kënaqësisë menjëherë zhvendoshet me ndjenjën e zemërimit dhe keqardhjes. Dikush para nesh, ndoshta një grup aventurierësh që kishin vizituar ujëvarën, kishin lënë aty mbetjet ushqimore që kishin konsumuar. Të hedhura në lëndinën e bukur, fare pranë ujëvarës, nuk kishin se si të inkurajonin, por vetëm të shtonin keqardhjen për mungesën e kulturës minimale ndaj mjedisit dhe atij vendi. Të gjithë shtangim dhe ndihemi keq për një akt të tillë që nuk të jep mundësi të thuash se para se të ndërtojmë rrugë, hidrocentrale apo vepra të tjera publike, duhet të edukojmë njerëzit.

Edhe pse pamjet e mbetjeve na demoralizuan disi, sërish i rikthehemi ujëvarës. Aty ku natyra nuk e ka kursyer fantazinë për të krijuar gjëra magjepse, e që të mrekullojnë me madhështinë e saj. Pamjet nuk kanë nevojë për koment. Uji gjithandej i ftohtë që shkumon nga goditja me shkëmbinjtë. Të bën të adhurosh atë vend. Dashamirësit e alpinizmit mblidhen të gjithë bashkë dhe bashkohen për të shijuar perlën e natyrës. Tre më guximtarët sfidojn ujin e ftohtë dhe ngjiten në shkëmb.

Trajneri i Alpinizmit të ekipit të Elbasanit, Artur Guni u bëri thirrje institucioneve shtetërore për të investuar në infrastukturën e zonës. Këtu jemi më shumë se 180 alpinist dhe dashamirës së natyrës. Është një vend i mrekullueshëm, por infrastuktura rrugore është për tu ardhur keq. Duhet të investohet që ky vend të bëhet i vizitueshëm nga turistët. Gjithashtu një problem tjetër ishte dhe ndotja e ambientit. Duhet të vihen në punë mekanizmat mbrojtës që të mos hidhen mbeturinat në mjedis,- u shpreh Guni.

Edhe alpinisti i vjetër, Petrit Hodaj bëri thirrje për mbrojtjen e mjedisit në mënyrë që vende të tilla të kthehen në pika të rëndësishme turistike.

Nuk ngurroi të jepte mesazhe pozitive as vajza e gazetarit të njohur Fatos Baxhaku, regjizorja e re dhe talentuar Bora Baxhaku, që erdhi për të vizituar ujëvarën. Ajo u shpreh e lumtur që pati mundësinë të shihte nga afër këtë bukuri të rrallë të natyrës dhe i bëri thirrje bashkëmoshatarëve që të njohin Shqipërinë dhe bukuritë e saj nëpërmjet udhëtimeve të tilla.

Të pasqyrosh këtë bukuri në të gjitha dimensionet e veta është e vështirë, por e rëndësishme është që dikush duhet të shkruaj për to, t’i promovojë dhe tu thotë të tjerëve që Shqipëria ka potenciale të mëdha turistike, por që të bëhet destinacion turistik duhen investime. Duhet që banorëve të Sotirës t’u bëhen rrugë, të investohet në edukimin e të rinjëve të fshtit që ata të kthehen një ditë si njerëzit që do të promovojnë bukuritë e zonës së tyre.

Në ujëvarën e Sotirës në Gramsh, mes magjisë që na ka dhuruar natyra (FOTO)

Në ujëvarën e Sotirës në Gramsh, mes magjisë që na ka dhuruar natyra (FOTO) ◄ Back Next ► Picture 1 of 8

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›