Dita Ndërkombëtare e Holokaustit, kryeministri Berisha kujton viktimat e racizmit nazist
"Sot, kombet e lira në mbarë botën, në ditën e Holokaustit, nderojnë kujtimin e mbi 6 milionë viktimave me origjine hebre, fëmijë, djem, vajza, burra, gra, të moshuar që humbën jetën në racizmin dhe urrejtjen njerëzore të kryer nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Kjo kasapanë e makinerisë së përbindshme të shfarrosjes në masë, vetëm e vetëm për shkak të përkatësisë etnike e fetare, është sot një apel i fuqishëm për të gjithë njerëzit në mbarë botën për të dënuar cdo formë dhune dhe urrejtje të racizmit dhe cdo origjine tjetër.
Shqiptarët duke u përkulur me respekt të thellë para kujtimit të viktimave të pafajshme të Holokaustit por dhe me ndjenjën e mirënjohjes ndaj paraardhësve të tyre, të cilët bënë që kombi shqiptar jo vetem te mos marrë pjesë në Holokaust por përkundrazi Shqipëria u shndërua në një strehë të sigurtë për hebrenjtë që ndiqeshin nga bisha naziste dhe numri i tyre ishte më i madh në fund të Luftës, sesa në fillim të saj.
Ky qëndrim përbën një bazë solide të miqësisë e bashkëpunimit që bashkon sot kombin shqiptar me kombin hebre, Shqipërinë me Izraelin".
27/01/2012