E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri Pollo: “Censusi i Ekonomike Jobujqësore jep pasqyrën më të saktë të çka është arritur me djersë, mundime e sakrifica të sipërmarrësve shqiptarë”

Ministri për Inovacionin dhe TIK z. Genc Pollo ishte sot i pranishëm në aktivitetin e organizuar nga Instituti i Statistikave, INSTAT, lidhur me censusin e Njësive Ekonomike Jobujqësore.

Në vazhdën e statistikave të reja që ka publikuar gjatë këtyre viteve, INSTAT, shton edhe botimin e rezultateve të Censusit të Njësive Ekonomike Jobujqësore. Ky census është bërë i mundur me mbështetjen e qeverisë shqiptare, por edhe me ndihmën e donatorëve të huaj, në mënyrë të veçantë nga BE-ja.

Gjatë aktivitetit Ministri Pollo tha ndër të tjera: “Ky census jep pasqyrën më të saktë të çka është arritur me djersë, mundime e sakrifica të sipërmarrësve shqiptarë; jep shpjegim pse Banka Botërore na klasifikon me të ardhura të mesme të larta, pse Prodhimi i Brendshëm Bruto për kokë po ngjitet duke iu afruar vendeve më të pasura të rajonit. Qeveria, organet  qendrore, pushteti lokal, institucionet kërkimore, deri tek individët e interesuar, do të kenë në duar një publikim, i cili do të japë një panoramë të plotë e të detajuar ekonomike të vendit, që nga rilindja e kapitalizmit dy dekada më parë. Nga ky census dalin fakte interesante si p.sh që gjysma e ndërmarrjeve ekzistuese janë ato të regjistruara nga viti 2005 e këtej; që gjysma e ndërmarrjeve aktive ndodhen në arealin Tiranë-Durrës.”

Për herë të parë, nëpërmjet këtij censusi do të krijohet regjistri i ndërmarrjeve lokale, i cili do të shërbejë si një instrument bazë statistikor për organizimin e vrojtimeve ekonomike në nivel rajonal.

Vlen për tu theksuar se ky census është kryer nga INSTAT-i brenda të gjithë parametrave të kërkuara nga EUROSTAT-i dhe standardeve ndërkombëtare, dhe këto të dhëna do të jenë të krahasueshme në nivel rajonal e më gjerë. Gjithashtu lokalizimi i ndërmarjeve është realizuar me GPS, me sisteme te pozicionimit global, pra vendodhja mund te përcaktohet në çast dhe më vonë do të integrohet me sistemin e adresave.

Kombinimi i të dhënave të censusit të Popullsisë dhe Banesave, me censusin e ndërmarrjeve dhe atë të bujqësisë, i cili do të realizohet këtë vit, jo vetëm që do të krijojë një panoramë të qartë të gjendjes social-ekonomike e demografike të Shqipërisë gjatë këtij viti, por mbi të gjitha do të krijojë databazën e një sistemi statistikor modern, në përputhje me kërkesat e kohës.


27/01/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›