Komisioni i Jashtëm, seancë dëgjimore me kandidaturat për Ambasadorët e Shqipërisë në Greqi dhe Bosnje-Hercegovinë.
Komisioni për Politikën e Jashtme zhvilloi sot një seancë dëgjimore me kandidaturat e propozuara nga Ministria e Jashtme për Ambasadorë, zotin Dashnor Dervishi dhe zotin Flamur Gashi, për Greqinë dhe Bosnje-Hercegovinën.
Kandidaturat u prezantuan nga Sekretari i Përgjithshëm pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme, Gazmend Turdiu, i cili vlerësoi të dy emrat si dinjitoze për përfaqësimin diplomatik të vendit tonë.
Dashnor Dervishi, kandidat për postin e Ambasadorit të Shqipërisë në Greqi prezantoi përpara anëtarëve të Komisionit të Jashtëm objektivat dhe prioritetet e tij në ushtrimin e kësaj detyre.
Zoti Dervishi e cilësoi emërimin e tij si një detyrë të rëndësishme përsa i përket rritjes së bashkëpunimit dhe forcimit të urave lidhëve ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë. Ai theksoi se detyra e tij si përfaqësues diplomatik i Shqipërisë në Athinë ka një rëndësi të veçantë pasi Greqia është një partner strategjik politiko-ekonomik, në kuadër të bashkëpunimit dypalësh, europian por edhe më gjerë.
Greqia është për Shqipërinë një partner strategjik përsa i përket marrëdhënieve politiko-ekonomike, bashkëpunimit europian por edhe më gjerë. Një nga detyrat kryesore do të jetë vendosja e kontakteve në nivel presidencial, qeveritar dhe parlamentar, në thellimin e bashkëpunimit, rritjen e shkëmbimit të vizitave si dhe forcimin e këtyre urave të kontaktit u shpreh zoti Dervishi.
Një vëmendje të veçantë, zoti Dervishi i kushtoi edhe emigrantëve shqiptarë në Greqi duke shprehur garancinë se gjatë ushtrimit të detyrës së tij do të punojë për një trajtim sa më njerëzor në kuadër të respektimit të të drejtave të tyre.
Po ashtu, Dervishi vuri theksin edhe tek rëndësia e thellimit të bashkëpunimit me Greqinë lidhur me shkëmbimet tregtare.
Pasi u njohën me prezantimin e kandidaturës së zotit Dashnor Dervishi, anëtarët e Komisionit të Jashtëm dëgjuan prezantimin e zotit Florian Gashi, kandidat për postin e Ambasadorit të Shqipërisë në Bosnje-Hercegovinë, ku vendi ynë për herë të parë do të çelë selinë e tij diplomatike në këtë shtet.
Zoti Gashi theksoi se për çdo shqiptar është nder dhe privilegj të përfaqësojë Shqipërinë. Duke vënë në dukje se për herë të parë Shqipëri do të ketë përfaqësinë e saj diplomatike në Bosnje-Hercegovinë, zoti Gashi vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve që do të shkojnë drejt intensifikimit të mëtejshëm.
Vlen për tu theksuar pakicat shqiptare në Bosnje, të cilat do të jenë një pikë kyçe përsa i përket bashkëpunimit të dy vendeve. Promovimi i vlerave kulturore shqiptare në Bosnje si dhe rritja e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve do të jenë pjesë e objektivave kryesore në këtë detyre u shpreh zoti Gashi.
Pasi u njoh me dy kandidaturat e propozuara nga Ministria e Jashtme, Komisioni i Jashtëm vijoi diskutimet me dyer të mbyllura.