Dita e Librit, Kuvendi i Shqipërisë për herë të parë përjetëson në një memorandum, bashkëpunimin me Bibliotekën Kombëtare.
Në përkujtim të ditës simbol të botës së letrave, 23 Prillit, dita ndërkombëtare e Librit, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe Drejtori i Bibliotekës Kombëtare Aurel Plasari nënshkruan një Memorandum Bashkëpunimi Për rivlerësimin e Trashëgimisë së shkruar të Shtetit shqiptar dhe në veçanti të Parlamentarizmit.
Kryetarja e Kuvendit u shpreh se ndihet krenare që merr pjesë në një aktivitet krejtësisht të ndryshëm nga të tjerët, me një simbolikë të veçantë për botën e letrave.
Duke përgëzuar punonjësit e Bibliotekës Kombëtare dhe veçanërisht drejtorin Aurel Plasari për punën e jashtëzakonshme që po kryejnë për librat dhe bibliotekën, Kryetarja e Kuvendit u shpreh:
Dua të përgëzoj të gjithë punonjësit e Bibliotekës Kombëtare dhe në mënyrë të
veçantë përgëzimet më të mëdha shkojnë për drejtorin Plasari, për punën e jashtëzakonshem që ka bërë dhe vazhdon të bëjë me një pasion të paparë, një pasion që e kanë vetëm njerëzit që i janë përkushtuar librit dhe bibliotekës.
Këtë gjë ne e prekim dhe e ndiejmë në të gjitha sallat e këtij ambjenti të ri dhe të rikonstruktuar, me librat që kanë një vlerë të jashtëzakonshme.
Unë kam parë punën që po bën stafi juaj nën drejtimin e zotit Plasari, qoftë për dixhitalizimin e botimeve, qoftë për mënyrën sesi i kanë ruajtur dhe po punojnë mbi librat e vjetër prej disa shekujsh, duke filluar nga Marin Barleti, me të cilin hapet ky libër i artë.
Unë ndihem krenare për nënshkrimin e këtij memorandumi, të cilin ndoshta duhet ta kishim bërë më përpara, por që, gjithsesi, ai po nënshkruhet në një ditë shumë të veçantë.
Unë besoj që bashkëpunimi midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Bibliotekës Kombëtare do të jetë shumë më intensiv, i vërtetë dhe me vazhdimësi të pakufishme - tha Kryetarja e Kuvendit.
Drejtori i Bibliotekës Aurel Plasari në respekt të traditës botërore për festimin e 23 Prillit, Ditës së Librit, që u shënua në 1616 në Spanjë, i dhuroi Kryetares së Kuvendit një lule dhe Librin Thesaret e Bibliotekave Kombëtare të Europës", i cilësuar si Libri i Artë.
Ky botim i rrallë, hapet pikërisht me shkrimet e autorit të hershëm të letërsisë shqiptare, Marin Barleti.
Kryetarja e Kuvendit falenderoi përzemërsisht drejtorin Plasari për këtë dhuratë me finesë dhe elegancë unike.
Drejtori i Bibliotekës Kombëtare, duke vlerësuar interesimin e posaçëm dhe të vazhdueshëm të Kryetares së Kuvendit për mbarëvajtjen e Bibliotekës Kombëtare, tha se "nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit, në këtë ditë feste për miqtë e librit, forcon edhe më tej, raportet e shkëlqyera midis Kuvendit dhe Bibliotekës.
Efektet e këtij memorandumi do të jenë shumë të shpejta. Një pjesë e specialistëve tanë po punojnë për plotësimin e nevojave të bibliotekës së Kuvendit, lidhur me botimet mbi historinë e shtetit shqiptar dhe sidomos parlamentarizmin - u shpreh drejtori Plasari.
Marrëveshja e nënshkruar në sallën eciklopedike Lumo Skëndo të Bibliotekës
Kombëtare, synon shkëmbimin e ndërsjellë të botimeve, të informacionit, dhe të njësive bibliotekare mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Bibliotekës Kombëtare, në fushën e historisë së shtetit dhe parlamentarizmit shqiptar. Njëherësh, marrëveshja zyrtarizon promovimin e trashëgimisë së shkruar kombëtare në rrjetet botërore të informacionit, dixhitalizimin e botimeve dhe mbështetjen e Kuvendit të Shqipërisë për veprimtari kulturore e shkencore të Bibliotekës Kombëtare.