Dita botërore e librit fryn nga Italia

Çmimi i përvitshëm "Lumo Skëndo" për bibliofilinë dhe takime me shkrimtarë italianë po edhe shqiptarë të Italisë janë ngjarjet pak entuziaste për 23 prillin, Ditën Botërore të Librit
A mund të jetë kombëtare një festë e përbashkët, botore, për librin që festohet çdo 23 prill? Patjetër që po. Çdo vend e feston siç do "Ditën Botërore të Librit" duke u përpjekur të promovojë letërsinë dhe autorët e tij, të traditës dhe të bashkëkohësisë.
Tek ne kjo festë nuk kuptohet si diçka private, por si një ditë që i iket letërsisë shqiptare.
Programi që ofron Ministria e Turizmit Kulturës, Rinisë dhe Sporteve thotë se era atë ditë do të fryjë nga Perëndimi, nga Italia.
Duke shfrytëzuar praninë marramendëse të kulturës dhe projekteve për zhvillim nga ky vend që janë instaluar prej vitesh në Shqipëri, edhe Dita Botërore e Librit do të jetë një festë italo-shqiptare.
Ambasada e Italisë në Tiranë dhe Universitetet e Tiranës dhe Elbasanit bashkëpunojnë për disa takime me autorë.
Më 20-22 prill autorët Arben Dedja dhe Amik Kasoruho takohen me nxënës dhe studentë të Elbasanit, Korçës, Shkodrës dhe Tiranës.
Më 22 prill në Bibliotekën e Galerisë Kombëtare të Arteve, ora 17.30 inaugurohet një sallon i librit italian dhe shqiptar. Do të jenë të pranishëm edhe kryetarët e bashkive të Tiranës dhe Torinos, Edi Rama dhe Sergio Chiamparino.
Panairi organizohet nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë që drejtohet nga Petrit Ymeri i cili ka marrë pjesë në hartimin e "programit" për Ditët e Librit.
"Letërsia dhe integrimi" quhet konferenca që mbahet më 23 prill në Fakultetin e Historisë e Filologjisë në bashkëpunim me Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, Departamenti i Italishtes. Një temë rutinë si "Letërsia italiane në Shqipëri" mbush programin.
Marrin pjesë Carmine Abate, shkrimtar kalabrez, Silvana De Mari, Sokol Jakova, Valbona Jakova, Raffaele Nigro, Alessandro Sanna ilustrator.
Po këtë ditë në Bibliotekën e GKA-së, mbahet një diskutim me temë "Letërsia e migrimit italofon, 1990-2010". Marrin pjesë Diana Çuli, Mia Lecomte, poete dhe studiuese e letërsisë së migrimit, Livio Muci, drejtor i Shtëpisë Botuese "Besa" i cili do të flasë për fenomenin e letërsisë migrante në nivelin historik-kulturor e editorial, dhe autorë shqiptarët Arben Dedja e Amik Kasoruho.
Më 24 prill do të ketë takime me autorët e përmendur me lart. Bëhet dhe prezantimi i librit "La cucina italiana" nën kujdesin e ICE-Ufficio të Tiranës.
Takimet më autorët italianë dhe shqiptarë që vijnë nga Italia vazhdojnë deri më 25 prill në Bibliotekën e GKA.
Siç shihet asgjë e re në këtë ditë dhe asgjë me fantazi, të mendosh që programet i hartojnë njerëz që pretendohet se merren me librin.
I vetmi aktivitet mirëfilli shqiptar, mbetet çmimi i Bibliofilisë "Lumo Skëndo" që jepet nga MTKRS prej vitit 2006. Juria që kryesohet nga Aurel Plasari, drejtor i Bibliotekës Kombëtare, jep më 23 çmimin që vlerëson cilësitë më të mira të botimit të një vepre. Çmimi ka vlerën financiare prej 500 mijë lekësh.
23 prilli është një datë simbolike për letërsinë botërore pasi në këtë datë në vitin 1616, vdiqën Servantes dhe Shekspiri.
Ideja e përkujtimit të Ditës Botërore të librit e ka origjinën e vet në Spanjë, në zonën e Katalonjës, ku atij që blinte një libër i dhurohej edhe një trëndafil.
23 prilli është shpallur si Dita Botërore e Librit më 15 nëntor të 1995, me një rezolutë të UNESCO-s, pasi u morën në konsideratë faktet se "libri ka qenë, historikisht, instrumenti më i fuqishëm i shpërndarjes së njohurive dhe mjeti më efikas për të siguruar ruajtjen e këtyre njohurive, se çdo nismë për promovimin e librave të rinj është një faktor i pasurimit kulturor, etj.".
Kjo është arsyeja pse kjo datë është caktuar nga Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s për t'i bërë homazh botëror librit dhe autorëve të tij dhe për të inkurajuar të rinjtë, që të zbulojnë kënaqësinë e të lexuarit, si edhe për të respektuar kontributin që kanë dhënë krijuesit në qytetërimin tonë.