Dita e 27-të e protestës për Zvërnecin në Tiranë

TIRANË, 26 qershor /ATSH/ Protestuesit u mblodhën sërish pasditen e kësaj të premteje në sheshin “Skënderbej”, prej nga nisën marshimin drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke përsëritur kërkesat e tyre për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Me pankarta në duar, ata kërkuan gjithashtu largimin e kastës së vjetër politike, ndryshimin e ligjit zgjedhor dhe shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura.
Në ditën e 27-të radhazi, protesta kundër investimit turistik të planifikuar në Zvërnec mblodhi qytetarët para Kryeministrisë prej nga u mbajtën dhe fjalime nga organizatorët dhe qytetarë të zakonshëm.
“Sot shqiptarët kanë dalë për të thënë poshtë kjo klasë politike”, tha një prej qytetarëve.
Gjatë protestës së sotme u shpalos edhe një banderole e cila përkujtonte 82-vjetorin e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinistët grekë, ku shkruhej se “Çështje çame kërkon veprim jo fjalë”.
Protestuesit vijuan thirrjet për “Shqipëri të re”, ndërkohë që pas himnit kombëtar, u rilexuan kërkesat e protestës.
Të rinj që morën fjalën në protestë ftuan qytetarët që t’u bashkohen në këtë kauzë për rrëzimin e qeverisë. Një prej protestuesve kërkoi që protestuesit të mos të dorëzohen, teksa shtoi se “kjo është beteja e egzistencës”.
Protestuesit kanë paraqitur pesë kërkesa kryesore, përfshirë dorëheqjen e kryeministrit, shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor për investitorët strategjikë, shfuqizimin e Paketës së Maleve, anulimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, anulimin e ndryshimeve në ligjin për trashëgiminë kulturore si dhe kufizimin e ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se dy mandate, të plota ose të pjesshme, gjatë gjithë jetës politike të një individi.
Pas fjalimeve, protestuesit marshuan në bulevard dhe rrugët kryesore të Tiranës.
Nga dita e 27-të e protestës përpara Kryeministrisë 1 nga 26