Rama: Alarmi për shkatërrimin e banjave termale të Bënjës nga algoritmi i të njëjtave duar të huaja si për flamingot

TIRANË, 26 qershor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama reagoi sot ndaj pretendimeve për shkatërrimin e Banjave Termale të Bënjës, duke i cilësuar ato si pjesë e një fushate dezinformimi të përhapur në rrjetet sociale.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë theksoi se prej 24 orëve të fundit është përhapur një “raketë digjitale”, e cila, sipas tij, është amplifikuar nga algoritmet dhe “të njëjtat duar të huaja” që si u shpreh ai, kanë përhapur më herët edhe alarmin për flamingot.
“Prej 24 orësh është lëshuar një tjetër raketë digjitale, që algoritmi e ka shpërthyer në qindra mijëra lajke e mallkime, për shkatërrimin e Banjove Termale të Bënjës, me të njëjtën metodë dhe me “ndihmën” e të njëjtave duar të huaja, që i dhanë algoritmit “dopingun” për një turravrap të paparë në përhapjen e alarmit për flamingot”, shkruan Rama.
Kreu i qeverisë publikoi gjithashtu një video nga Bënja sot duke treguar sesi paraqitet gjendja në terren. Në videon e bërë publike dallohen vaskat e mbushura dhe vizitorët të cilët janë duke u relaksuar në ujin e tyre.
“Kush do të vërtetën e ka në këtë video, sot, nga Bënja”, shkruan Rama.
Zona e ujërave termale të Bënjës është në kantier rikualifikimi, falë një investimi dhe projekti të bërë nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, me rrugë aksesi të reja, me mjedise shërbimi të reja, me hapësira rekreative për çlodhje e për aktivitete që krijojnë edhe mundësi për festa kulturore e promovuese të traditës dhe produkteve të jashtëzakonshme përmetare.
/m.q/j.p/