E Diel, 1 Nëntor 2026

Dita e Europës, Avokati i Popullit: Zgjedhjet, test për të ecur më shpejt drejt BE

TIRANE - Avokati i Popullit, Igli Totozani, ka kujtuar sot Ditën e Europës, ndërsa i ka tërhequr vëmendjen politikës shqiptare të bashkëpunojë për të realizuar një integrim sa më të shpejtë në Bashkimin Europian.

"Sot, është dita e Europës, festa e paqes dhe unitetit të Europës, sot është edhe festa jonë, e të gjithë europianëve që shikojmë tek Europa shpresën dhe idealin tonë për paqe dhe demokraci për një drejtësi të pavarur, të barabartë, të paanshme dhe eficente, për bashkëpunim e mirëqenie të përbashkët", shkruhet në njoftimin për shtyp të lëshuar nga zyra e Avokatit të Popullit.

Kjo festë, vijon njoftimi, "vjen pak kohë para zgjedhjeve të përgjithshme në vend, suksesi i të cilave do të ndikojë në ecjen tonë drejt Europës dhe ne mendojmë se me zgjedhjet e qershorit Shqipëria do të duhet të gjendet një hap më pranë Europës".

Avokati i Popullit, sot me rastin e ditës së Europës, fton për një reflektim të thellë nga kushdo, që nisur nga roli apo pozicioni publik, të vlerësojë këto zgjedhje dhe të ardhmen e Shqipërisë si një qytetar europian. Por në radhë të parë Avokati i Popullit fton çdo qytetar të Republikës sonë të mos rreshtë së kërkuari Europën dhe të mos lodhet së ndërtuari Shqipërinë Europiane.

(BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›