E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shefat e rinj në QSUT, Kosova: Zgjedhja përmes një procesi transparent

TIRANE – “Zgjedhja e shefave të rinj të shërbimeve në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë do të kryhet sapo të plotësohen të gjitha hallkat ligjore që mungojnë. Ndërkohë, i gjithë procesi për zgjedhjen e tyre do të zhvillohet në përputhje me ligjin”, - tha sot ministri i Shëndetësisë, Halim Kosova, në një prononcim për mediat pas konferencës për prezantimin e udhëzuesve të raportimit të incidenteve në institucionet spitalore, mbajtur në Hotel Sheraton nga MSH dhe USAID.

Ministri i Shëndetësisë, përmes një urdhri të ditëve të fundit , kërkoi revokimin e urdhrit të ish- ministrit të Shëndetësisë, lidhur me organizimin dhe shefat e rinj të shërbimeve në QSUT.

Ministri i Shëndetësisë urdhëroi rikthimin e organizimit të shërbimeve dhe shefat e tyre sipas strukturës dhe pozicioneve te mëparshme.

Kosova tha se ka pasur një reagim pozitiv nga ana e shumë figurave të larta të mjekësisë shqiptare, të cilët e kanë parë këtë hap si mënyrën më të mirë për t’i kthyer dinjitetin Fakultetit të Mjekësisë.

Ai theksoi se pas kësaj vendimmarrje, të gjithë profesorët e nderuar të Fakultetit të Mjekësisë do t’a ndiejnë veten më dinjitozë dhe se nga transparenca nuk ka pse të frikësohet askush.

Pak ditë më parë, rektorja e Universitetit të Mjekësisë, Jera Kruja, e pyetur lidhur me procesin e zgjedhjeve të shefave të shërbimit në QSUT, tha se aktualisht po analizohen ankimimet, që, sipas saj, janë të shumta lidhur me procesin dhe në përputhje me legjislacionin do të merret një vendim përfundimtar.

(er.nu/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›