Dita e Gjilanit

Pas disa shtyrjeve, të mërkurën në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve pritet të nisë hetimi dhe rinumërimi i votave të komunës së Gjilanit.
Hapja e kutive të votimit pritet të bëhet nën llupën e vëzhguese vendorë dhe ndërkombëtarë, ku edhe do dihet përfundimisht se a do të ketë përsëritje të votimeve apo fituesi i zgjedhjeve do të dalë nga raundi i dytë i zgjedhjeve.
Shpalljen e fituesit nga balotazhi e ka përkrahur PDK’ja, e cila ka dalë fituese në të dy raundet e zgjedhjeve. Kurse LDK’ja ka vazhduar të kërkojë rivotime në këtë komunë.
Megjithëkëtë, zyrtarët e KQZ’së bëjnë të ditur se përgatitjet për hetimin dhe rinumërimin e 130 kutive të votave të Gjilanit kanë përfunduar.
Anëtari i KQZ’së, Xhelil Pajaziti sqaron se vendimi i fundit i KQZ’së për hetimin dhe rinumërimin e votave të Gjilanit do të realizohet të mërkurën.
“Ashtu sikur është paraparë në vendimin e KQZ’së, më 6 janar do të fillojë hetimi dhe rinumërimi i votave të Gjilanit”, ka thënë Pajaziti për Express të hënën.
Ky anëtar i KQZ’së nga radhët e PDK’së sqaron se Sekretariati i KQZ’së ka bërë të gjitha përgatitjet për përfundimin e dilemës së zgjedhjeve për Komunën e Gjilanit, e cila po bëhet ndër komunat më problematike të zgjedhjeve.
“Sekretariati i ka bërë përgatitjet dhe hetimi dhe rinumërimi i votave do të bëhet në prani të vëzhguesve vendorë dhe ndërkombëtarë. Aty do të jenë të pranishme edhe mediat”, ka thënë ai.
Ndryshe, KQZ’ja ditë më parë ka vendosur për hetime dhe rinumërimin e votave të Gjilanit, pas vendimit të KZAP’së për përsëritjen e zgjedhjeve edhe në këtë komunë. Vendimin e KQZ’së e patën përkrahur zyrtarët e PDK’së, kurse vendimin e KZAP’së e patën mbështetur ata të LDK’së.
Edhe Shefi i Ambasadës amerikane në Kosovës, Christophen Dell pati sugjeruar ditë më parë që edhe në komunën e Gjilanit të përsëriten votimet, ashtu siç kishte udhëzuar KZAP’ja për rivotime në Prizren dhe Lipjan.
Dy kandidatët për Kryetar të Gjilanit, kanë shprehur qëndrime të ndryshme sa u përket vendimeve që pritet të merren në KQZ.
Qemail Mustafa i PDK’së ka thënë se e pranon vendimin e KQZ’së, vetëm nëse ai mbështetet në argumente të fuqishme se ka pasur parregullsi dhe i zbulon shkelësit e ligjit.
Fatmir Rexhepi i LDK’së ka thënë se pret nga KQZ’ja korrigjimin e vendimit dhe marrjen e një vendimi të ri për rivotim në komunën e Gjilanit.
Ndërkohë, KQZ’ja ka vendosur që më 31 janar të këtij viti të mbahen zgjedhjet në Prizren dhe Lipjan, ku janë konstatuar se janë bërë shumë parregullsi gjatë raundit të dytë të zgjedhjeve.