Pyetësori lë pa pushuar administratën e Kuvendit
05/01/2010 Grupi i punës ka qëndruar në punë edhe ditët e festave
KE në varësi të përgjigjeve do të gjykojë mbi procesin integrues
Pyetësori i Komisionit Evropian ka lënë në punë edhe për festën e Vitit të Ri administratën e Kuvendit të Shqipërisë. Grupi prej rreth 25 vetë i ngritur pranë këtij institucioni ka qëndruar në krye të detyrës për t’iu përgjigjur 2 280 pyetjeve të KE-së, edhe në ato ditë të caktuara pushim për shkak të ndërrimit të viteve. Po ashtu, grupi në fjalë ka punuar me orar të zgjatur që nga koha e marrjes në dorë të këtij dokumenti të rëndësishëm ditëve për të përfunduar në kohë detyrën e lënë nga ndërkombëtarët. Angazhimi me një intensitet të madh i rreth 600 punonjësve të administratës shqiptare, në studimin dhe plotësimin e pyetësorit të KE-së, është paralajmëruar nga vetë kreu i qeverisë kryeministri Sali Berisha, ditën e marrjes në dorëzim të këtij pyetësori. Në bazë të tij do të vlerësohet gatishmëria e Shqipërisë për të vazhduar më tej në procesin integrues. Deri në përfundim të dorëzimit të pyetësorit, Komiteti Ndërministror i Integrimit do të shqyrtojë ecurinë e procesit javë pas jave. Me marrjen e tij, kreu i ekzekutivit shqiptar, Berisha pasi garantoi për punën me përkushtim në përgjigjet ndaj pyetësorit, ftoi kryetarin e PS-së, Edi Rama për të përshëndetur këtë eveniment historik. “Qeveria ime dhe autoritetet shqiptare do të punojnë me përkushtim të madh, me një gjithëpërfshirje të spektrit politik, të shoqërisë civile dhe të grupeve të interesit, në mënyrë që përgjigjet që do të dërgohen në Komisionin Evropian të jenë më të vërtetat e të vërtetave”, - ka deklaruar kreu i qeverisë. Nga ana e saj selia rozë ka heshtur ndaj kësaj ftese, duke këmbëngulur në kërkesën për hapjen e kutive të zgjedhjeve të 28 qershorit.
Dorëzimi i pyetësorit
Ambasadori i Komisionit Evropian në Tiranë Helmut Lohan, i dorëzoi pyetësorin tre institucioneve kryesore në vend në mesin e muajit dhjetor. Pyetësori i përpiluar nga ekspertët e KE-së, përqendrohet në ato që përbëjnë kriteret politike: funksionimin e demokracisë dhe institucioneve demokratike, sundimin e ligjeve apo shtetit të së drejtës, respektin e të drejtave për minoritetet. Për t’iu përgjigjur janë angazhuar 45 institucione shtetërore, me rreth 600 nëpunës.