E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria lejon vizitën e Tadicit në Kosovë

Qeveria e Kosovës do të lejojë vizitën e presidentit serb, Boris Tadic, në Kosovë, por vetëm si vizitë të karakterit fetar.

Zëvendëskryeministri Ramë Manaj i tha Radios Evropa e Lirë se Qeveria e ka marrë kërkesën nga Zyra e Përfaqësuesit të Bashkimit Evropian dhe, pasi e ka shqyrtuar, ka marrë vendim të lejojë vizitën, por me disa kushte.

“Ai vjen në shtetin e Kosovës dhe ai nuk mund të keqpërdorë qëndrimin e tij për fjalime politike. Këto janë edhe vërejtjet që i janë bërë ICO-së dhe në këtë kontekst, në këto rrethana, në këtë mënyrë i lejohet vizita presidentit të Serbisë”, tha Manaj.

Presidenti serb ka njoftuar përfaqësuesit e BE-së se dëshiron të vizitojë Kosovën më 7 janar, kur edhe janë Kërshëndellat ortodokse.

Ai ka qëndruar për herë të fundit në Kosovë më 17 prill të vitit 2009 dhe pati vizituar Manastirin e Deçanit me rastin e ditës së Pashkëve Ortodokse.

Në Kosovë, Tadic kishte hyrë pas një kërkese që i kishte bërë Zyrës së Përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian, Piter Feith, dhe me miratimin e institucioneve qendrore në Kosovë.

Këto të fundit patën tërhequr vërejtjen se nëse presidenti i Serbisë bën çfarëdo deklarimi politik, që është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, atij do t’i ndalohet hyrja në Kosovë në të ardhmen, qoftë në kapacitet privat apo zyrtar. /rel/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›