Dita e Pavarësisë, Obama uron Topin

Presidenti i SHBA-së Barack Obama ka uruar kreun e shtetit Bamir Topi me rastin e Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë.
“Me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë së vendit tuaj, ju shpreh urimet më të mira për ju dhe popullin shqiptar! Në këtë vit të njëzetë të rivendosjes së marrëdhënieve dypalëshe diplomatike, ne festojmë miqësinë e fortë mes dy popujve tanë” thuhet në mesazhin e urimit të presidentit Obama.
Presidenti Obama thekson më tej se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë krenare që qëndrojnë krah për krah me Shqipërinë në Afganistan.
“Ne e kemi ruajtur përkushtimin tonë të përbashkët e të palëkundur për sigurinë dhe begatinë e Ballkanit. Qeveria amerikane vazhdon të mbështesë fuqimisht përpjekjet e vazhdueshme të Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe presim ditën kur të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë integruar në një Evropë të plotë, të lirë dhe në paqe” thekson më tej presidenti Obama.