Berisha:BERZH-i, mbështetje në financimin e projekteve
Kryeministri Berisha ka vlerësuar sot Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për mbështetjen financiare të projekteve në infrastrukturë dhe energji.
Në një takim me dy përfaqësuesit e lartë të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Jean Marc Peterschmitt, dhe Claudio Viezzoli, kreu i qeverisë vlerësoi kontributin e veçantë të BERZH-it në sektorin e energjisë, që sipas tij është edhe sektori kyç për ekonominë e vendit.
Kryeministri Berisha shprehu nevojën dhe besimin për vazhdimin e financimit të projekteve nga ana e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, edhe në të ardhmen, veçanërisht për mbështetjen e Bashkisë së Tiranës në projektet e saj për Terminalin e Autobusëve, për Terminalin e Trenit, si dhe për projekte të tjera.
Ai theksoi gjithashtu se mbështetja e BERZH është shumë e rëndësishme për zgjerimin e kreditimit të sektorit privat në Shqipëri.
Nga ana e tyre përfaqësuesit e BERZH falënderuan Kryeministrin për mbështetjen që qeveria shqiptare dhe ai personalisht kanë dhënë në organizimin nga ana e BERZH të Forumit të Energjisë në Tiranë.
Z. Peterschmitt u ndal në financimin e 9 projekteve, me vlerë 95 milionë euro në fushën e infrastrukturës dhe energjisë. Njëkohësisht, ai theksoi se BERZH po punon për një paketë të re investimesh për vitin 2012, me një vlerë prej 80 milionë euro, në fushën e energjisë, të infrastrukturës nacionale dhe atë rurale, në sigurinë e digave, si dhe mbështetjen për projekte të Bashkisë së Tiranës.