Dita e Pavarësisë, Shqipëria feston e veshur kuq e zi
Shqiptarët brenda dhe jashtë kufijve të vendit festojnë sot 99-vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi e kudo ku jetojnë shqiptarë në emigrim sot përkujtohet Dita e Flamurit e themelimit të shtetit shqiptar.
Në Tiranë, atmosfera festive është ndier që në orët e para të ditës. Ngjyrat kuq e zi kanë pushtuar rrugët, të cilat pritet të mbushen gjatë ditës me mijëra qytetarë që do tu bashkohen aktiviteteve të organizuara për këtë ditë të veçantë.
Vlora, qyteti simbol i pavarësisë, mban kurorën e festimeve të Ditës së Flamurit. Rrugët e qytetit janë mbushur me të rinj të ardhur nga të gjitha qytetet, të veshur me ngjyrat kuq e zi e me kostume tradicionale. Një grup të rinjsh të ardhur nga Kosova e Maqedonia së bashku me sportistët e Flamurtarit kanë shpalosur flamurin gjigant kuq e zi. Ceremonia zyrtare ka nisur në Sheshin e Flamurit me fjalën e kryetarit të Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika. Në ceremoni është i pranishëm edhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi. / Nga Vlora, Anila Peçi