E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dita e Rinisë, Berisha uron nga Franca

Kryeministri Sali Berisha ka urimet e tij nga Franca për Ditën Kombëtare të Rinisë. Ai ka uruar të gjithë të rinjtë, të cilët sipas tij ishin përcaktuesit e fitores edhe në vitin 2009 dhe ka shprehur bindjen se do të jenë pikërsht ata që do të bëjnë fitoren edhe në vitin 2013.

"Unë dua tu përshëndes ju këtë ditë, të rinjtë dhe të rejat e Shqipërisë sepse në këto 20 vite ju ishit dhe forca më kryesore e demokracisë së vendit. Ju përcaktuat fitoren e qendrës së djathtë në vitin 2009, përcaktuat fitoren me votën tuaj, fitoren e viti 2009, fitoren e këtyre parimeve në vitin 2011 dhe kam bindjen më të plotë se ju, me energjitë, me mençuritë, me vizionin, me përkushtimin, me idealet e larta, fisnike, të dhjetorit të viteve 90 do të përcaktoni fitoren më të thellë të qershorit të viti 2013" ka theksuar Berisha.

Sipas tij, Shqipëria sot është vite drite larg asaj që ishte në dhjetorin e vitit 1990, kur të rinjtë si shpresa e vendit luftonin për liri e demokraci.

"Shqipëria 21 vjet më pas është 21 vite drite larg asaj që ishte në dhjetorin e vitit ‘90. Shqipëria sot është vend anëtar i NATO-s. Ëndrra evropiane e të rinjve të vendit më të izoluar të Evropës u bë realitet. Gjaku i atyre dhjetëra e dhjetëra në mos qindra të rinjve dhe të rejave që u ekzekutuan barbarisht në kufijtë e vendit në vitin ‘90 u bë dritë dhe sot shqiptarët lëvizin të lirë në mbarë Evropën" ka shtuar Berisha.

Ai ka vlerësuar brezin e ri si forcën më të madhe të vendit për zhvillim dhe integrimin në familjen europiane.

"Nga Kongresi i 20 i Partive Popullore Evropiane, qyteti historik i Marsejës dëshiroj ti përcjell përshëndetjet më të përzemërta çdo të reje dhe të riu shqiptar, studenteve dhe studentëve të Shqipërisë dhe ne veçanti atyre që 21 vjet më parë lanë auditorët dhe bankat e universiteteve, mbushën rrugët dhe sheshet e Tiranës, shndërruan 8 dhjetorin në ditën e tyre, ditën që ndan epokat, ditën që çeli dyert e mbyllura të lirisë për shqiptarët, shndërruan vitin ‘90 në vitin e mrekullive të mëdha të kombit shqiptar" ka shtuar më tej Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›