E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dita e Shën Valentinit “çmend” iranianët

Edhe përkundër faktit se klerikët në pushtet dhe politikanët ithtarë të vijës së fortë kanë zhvilluar fushatë kundër asaj që i quajnë importe “dekadente” kulturore, dita e krishtere e cila i dedikohet dashurisë, ka mbijetuar në Iran. Një nga arsyet mund të jetë numri i madh i të rinjve në moshë madhore në këtë vend: 60 për qind e 75 milionë banorëve të Iranit janë nën moshën 30 vjet, ndërsa një prej 3 iranianëve janë të moshës ndërmjet 15 dhe 30 vjet.

Është e vërtetë se Irani ndoshta e refuzon ndikimin e Perëndimit, por Dita e Shën Valentinit është shndërruar në një fenomen, falë rinisë me prirje romantike në radhët e klasës së edukuar të vendit.

Edhe përkundër faktit se klerikët në pushtet dhe politikanët ithtarë të vijës së fortë kanë zhvilluar fushatë kundër asaj që i quajnë importe “dekadente” kulturore, dita e krishtere e cila i dedikohet dashurisë, ka mbijetuar.

Një nga arsyet mund të jetë numri i madh i të rinjve në moshë madhore në këtë vend: 60 për qind e 75 milionë banorëve të Iranit janë nën moshën 30 vjet, ndërsa një prej 3 iranianëve janë të moshës ndërmjet 15 dhe 30 vjet.

Me shumë prej tyre që janë të pamartuar dhe me baret, klubet dhe ahengjet e përziera të gjitha të ndaluara me ligjet e ashpra të vendit, Dita e Shën Valentinit gjithnjë e më shumë është parë si një mundësi e tolerueshme për joshje dhe vardisje-një mundësi, ana komerciale e së cilës mirëpritet tej mase nga shitësit në Iran.

Disa pronarë të dyqaneve në Teheran theksuan se kërkesat për lule, kartolina sentimentale me fjalën angleze “love”, për çokollatë dhe parfume janë të mëdha, duke e forcuar edhe më shumë trendin e viteve të kaluara.

Pronari i një restoranti italian, i cili nuk deshi të identifikohet, theksoi se të gjitha tavolinat në dyqanin e tij janë rezervuar që moti nga çiftet.

Elmira, studente 24 vjeçare e arkitekturës në Teheran, e cila nuk deshi ta thotë mbiemrin e saj, theksoi se pjesa më e madhe e atyre, të cilët marrin pjesë në këtë ritual vjetor të romantikes, janë të rinj nga klasa e mesme dhe e lartë e popullatës.

“Rutina e zakonshme për çdo vit është shkëmbimi i dhuratave, e më pas dalja në mbrëmje për darkë”, thotë ajo.

“Dita e Shën Valentinit dikur ka qenë një ngjarje e jashtëzakonshme për mua. Por tani po kërkoj diç më domethënëse. Traditat nuk kanë rëndësi, nëse nuk ekzistojnë emocionet e vërteta”, shton Elmira.

Por ka shenja se autoritetet kanë filluar të humbin durimin. Vitin e kaluar, autoritetet ndaluan prodhimin dhe shitjen e gjësendeve me shenja të Shën Valentinit.

Konservatorët insistojnë se nuk ka vend për deklarata të këtilla jo-modeste, në një kulturë të devotshme islamike. Ata janë alarmuar nga rënia e shpejtë e numrit të martesave gjatë viteve të fundit, duke e fajësuar për këtë trend Perëndimin.

Iranianët nacionalistë preferojnë të nënvizojnë dashurinë e tyre në festivalin që daton para kohës së islamit, i cili zhvillohet në tetor, në të cilin nderohet Mithra, përendesha antike perse e dashurisë.

Por së paku deri me tani, çiftet e reja iraniane ende janë në gjendje që të përfshihen në shënimin e Ditës së Shën Valentinit.

Saba, një studente 18 vjeçare e grafikës në qytetin e shenjtë verilindor, Mashad, thotë se për të kjo ditë nuk ka të bëjë me adoptimin e kalendarit të krishterë, por më shumë me dëshirën e saj për të pranuar dhurata.

Por ajo shton se është e mendimit se është më sigurt që të marr pjesë në ndonjë aheng privat, se sa të rrezikojë daljen në ndonjë restorant apo vend tjetër publikë, ku mund të joshë vëmendje të padëshiruar nga policia iraniane e moralit, e cila zbaton kodet islamike të veshjes dhe të sjelljeve.

“Edhe përkundër faktit se nuk do të bënim asgjë jo-islamike nëpër restorante apo kafene, nuk ka shumë vende për të kaluar Ditën e Shën Valentinit në qytet dhe të ndihesh i sigurt”, thotë ajo.

Madje edhe opsioni në shtëpitë private nuk është pa rreziqe. Ahengjet rregullisht bastisen nga policia dhe iranianët e ri, të cilët konsumojnë alkool apo vallëzojnë, arrestohen.

Meysam, një pronar 30 vjeçar i një dyqani, thotë se planifikon që të dal me të dashurën e tij, por jo për arsye që ndërlidhen me Ditën e Shën Valentinit.

“Kam dëshirë të argëtohem, por gjithashtu duhet ta kem parasysh faktin se biznesi gjatë këtyre ditëve nuk ka qenë edhe gjithaq i mirë”, thotë ai.

Ai thotë se nuk e di se cila do të jetë ardhmëria e biznesit të tij, për shkak të devalvimit të vazhdueshëm të valutës iraniane, rialit.

Edhe sanksionet e fundit të SHBA-së kundër sistemit financiar të Iranit kanë penguar biznesin dhe importimin e mallrave në vend.

(AFP)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›