E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koha për hakmarrje

Milani do ta kërkojë hakmarrjen ndaj Arsenalit për eliminimin që ia bëri klubi londinez vite më parë. Skuadrat angleze janë bërë ‘mace të zeza’ për Rossonerët, të cilët i eliminuan nga Liga e Kampionëve në tri vjetët e fundit. ‘Topçinjtë’ me Thierry Henryn, që e zhvillon ndeshjen e fundit, do të tentojnë ta vazhdojnë ecurinë e mirë të anglezëve ndaj kampionit italian. Në duelin tjetër, Zeniti do ta gostisë Benfican.

Milani synon t’i hakmerret Arsenalit për eliminimin që ia shkaktoi tri sezone më parë, kur të dyja ekipet do të përballen në mes vetë sonte, në ndeshjen e parë të së tetës së finales së Ligës së Kampionëve.

Rossonerët janë eliminuar herët në tri vjetët e fundit në të tetën e finales pikërisht nga skuadrat angleze (Arsenal, Manchester United e Tottenham) dhe këtë vit synojnë të depërtojnë më larg.

Kampioni aktual italian po lufton në Serie A me Juventusin, kurse në Evropë do të ketë punë me ‘Topçinjtë’, të cilët sonte do ta kenë në dispozicion Thierry Henryn për herë të fundit. Sulmuesi francez pritet të rikthehet në New York Red Bulls pas huazimit prej dy muajsh tek ekipi i Arsene Wengerit.

Milanit pritet t’i rikthehen nga lëndimi disa lojtarë të rëndësishëm si Kevin Prince Boateng, Alessandro Nesta, Cristian Abiatti e Alexandre Pato, plus Zlatan Ibrahimovic, i cili është i suspenduar në Serie A.

‘Gunners’ do të paraqiten pa Jack Wilshere dhe Per Mertesacker - të lënduar, ndërsa shkojnë në San Siro pas dy fitoresh radhazi në Premierligë ndaj Blackburnit më 4 shkurt (7:1) dhe kundër Sunderlandit fundjavën që shkoi (2:1)

Në duelin tjetër që zhvillohet sonte, Zenit St Petersburg do ta gostisë Benfican. Ekipi që ka mbetur pa sulmuesit Danny, i cili është i lënduar deri në fund të sezonit, nuk ka zhvilluar ndeshje garuese që nga takimi me Porton, i fundit në fazën e grupeve.

Ata do të rikthehen në skenën evropiane kundër një skuadre tjetër portugeze, Benfica, e cila nuk ka shkuar në fazën e eliminimeve nga sezoni 2005/06. Dy herë kampioni i Evropës, Benfica, ka kaluar nga faza e grupeve si lider për herë të parë që nga viti 1995.

Liga e Kampionëve

E mërkurë Ora

Milan – Arsenal 20:45

Zenit – Benfica 20:45

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›