Dita e Talasemisë, 300 mijë bartës në Shqipëri. Apel për dhurim gjaku
Tiranë- 8 maji shënon Ditën Ndërkombëtare të Luftës kundër Talasemisë dhe në të gjithë botën ndërmerren një sërë fushatash sensibilizuese për të ndihmuar personat që kanë nevojë për gjak.
Edhe në vendin tonë ka pasur një sërë aktivitetesh për të nxitur qytetarët të dhurojnë gjak. Mbrëmë në Qytetin Studenti është zhvilluar një koncert kushtuar kësaj dite, ndërsa shumë persona kanë dhuruar gjak për tu ardhur në ndihmë të sëmurëve talasemikë.
Talasemia është një sëmundje e njohur ndryshe si sëmundja e shkatërrimit të gjakut, ku shumë elementë përbërës së tij dalin nga funksioni. Vendet ku shfaqet më shpesh Talasemia janë vëndet e Mesdheut, ku malaria ka qënë endemike, si Shqipëria, Greqia, Italia, Qipro, etj.., por edhe në Azi dhe një pjesë Afrikës.
Sipas OBSH-së, sot 5% e popullsisë në botë është bartëse potenciale e gjenit patogen të hemoglobinës (njerëz të shëndoshë, që kanë trashëguar një gjen mutant nga një prind). Shqipëria është një vend me endemicitet të lartë të beta Talasemisë.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, në vëndin tonë ka rreth 300 mijë bartës, pra rreth 9% e popullsisë. Zonat më të prekura janë kryesisht Lushnje 7.3%, Berat 7.04%, Fier 9.96%, Sarandë 7.92% dhe Shkodër 0.72%.
Talasemia shfaqet zakonisht pas muajit të 6 të jetës, dhe karakterizohet nga: zbehje e theksuar, ndryshime kockore të fytyrës dhe kokës, mëlçi dhe shpretkë të zmadhuar, prapambetje në rritje dhe zhvillimin puberal, por edhe dëmtime të zemrës, si pasojë e mbingarkesës me hekur që kanë të sëmurët. Kjo bën që personat e prekur të kenë nevojë për transfuzion gjaku çdo 15-21 ditë.
Sipas Ministrisë së Shëndetësië po punohet i ntesivisht për të ulur numrin e të lindurve me Talasemi. Në vitin 2004 ka pasur rreth 23 foshnja që kanë lindur nga kjo sëmundje, ndërsa në 2011-ën vetëm 2.