E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapshticë, emigrantët flenë jashtë, grekët mbajnë sportelet mbyllur

kapshtice-rradhaKorçë- Eshtë në kufijtë e dhunës verbale sjellja e policisë kufitare greke, e cila krijon në mënyrë artificiale radhë kilometrike të shqiptarëve që duan të kalojnë kufirin. Në mënyrë të qëllimshme ata po e shndërrojnë në makth vajtje-ardhjen e shqiptarëve në vendin e tyre.

Largimi i menjëhershëm i emigrantëve të cilët ishin në Shqipëri për festën e Pashkëve, ka shkaktuar probleme serioze në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës. Ashtu si çdo vit, edhe këtë herë pala greke ka paralizuar punën, duke i lënë emigrantë të qëndrojnë në rradhe kilometrike për thuajse gjithë natën.

Prej mesditës së djeshme dhe gjithë natën rradha e automjeteve ka qenë mbi 3 kilometra e gjatë, ndërsa pala greke fillimisht ka pretenduar se për dy orë sitemi i kontrollit TIMS është prishur. Por edhe më pas, kur ka rifilluar ata nuk kanë hapur sportele të tjera edhe pse kanë qenë të vetëdijshëm për radhët e gjata që kishin krijuar. Për thuajse 24 orë, pala greke ka punuar me vetëm një sportel dhe me ritme tepër të ngadalta, duke bllokuar kështu kalimin e emigrantëve shqiptarë, ndërkohë që dje ka qenë edhe afati i fundit për të lejuar kalimin e fëmijëve të cilët kanë probleme me toponimet në pasaporta.

Sipas të dhënave të fundit, përmes kësaj pike doganore ditën e martë deri në mbrëmje, kanë mundur të kalojnë  kufirin 4934 qytetarë me 1072 mjete.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›