Komisioni i Ekonomisë, Fullani kalon provën vetëm me votat e PD-së
TIRANË Ardian Fullani ka kaluar provën e fundit para votimit në Kuvend për një mandat të dytë në krye të Bankës së Shqipërisë. Dekreti i Presidentit për Fullanin si Guvernator i Bankës së Shqipërisë është miratuar dje nga komisioni parlamentar i Ekonomisë vetëm me votat e mazhorancës, ndërsa opozita nuk mori pjesë në votim. Deputetët e PS-së reaguan ashpër për mungesën e Fullanit në komision, i cili sipas tyre duhet të shpaloste vizionin që ai ka për postin që është propozuar. Deputeti i PS-së, Erion Braçe i ka kujtuar kryetarit të komisionit, Edmond Spaho, se është duke vepruar me dy standarde për dekretet e presidentit për institucionet e pavarura, duke kujtuar rrëzimin e kandidaturës së Sali Shehut për kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Pavarësisht debateve, dekreti për Fullanin në krye të Bankës u miratua me 11 votat e deputetëve të shumicës. Presidenti Bamir Topi dekretoi një javë më parë Ardian Fullanin për postin e Guvernatorit të Bankës Qendrore. Pak ditë më parë, kryesocialisti Edi Rama menjëherë pas shpalljes së dekretit e cilësoi këtë kandidaturë shumë të gabuar dhe paralajmëroi se opozita nuk do ta votojë. Ardian Fullani është anëtar i Këshillit Mbikëqyrës dhe guvernator i Bankës së Shqipërisë që nga muaji tetor i vitit 2004. I emëruar me propozim të ish-kryeministrit socialist Fatos Nano, ai zëvendësoi në këtë post Shkëlqim Canin. Votimi i Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë në Kuvend kërkon një shumicë të thjeshtë (71 vota).