Dita e Verës, festimet mes Elbasanit e Tiranës
ELBASAN/TIRANE
Tani Elbasani dhe Tirana janë në konkurrencë mes tyre për Ditën e Verës. Mijëra njerëz kanë vërshuar si në vendlindjen e festës, ashtu dhe në kryeqytet, duke iu gëzuar atmosferës shumëngjyrëshe e njëkohësisht ditës me diell. Në qytetin e Elbasanit festimet startuan prej 13 marsit, me koncerte e panair, për të vijuar ditën e djeshme me zbar-kimin në qendrën e qytetit të kostumeve e parakalimit tradicional. Si dhe një vit më parë, pjesë e kësaj feste ka dashur të jetë dhe kryeministri Berisha, i cili premtoi njëkohësisht se këtë vit do të marrë jetë projekti për rrugën e re panoramike që lidh Elbasanin me Tiranën. I shoqëruar nga ministri i ri i Kulturës, Ardian Turku, ish-kryebashkiak i Elbasanit, Berisha vizitoi panairin, ku biznese të ndryshme nga ky qytet apo rrethe të tjera, ekspozuan prodhimet e tyre. Festimet janë përqendruar gjatë ditës së djeshme në ambientet e parkut "Rinia", para bustit të Aqif Pashës, ndërsa në baret e restorantet dominonte muzika që prej orëve të para të ditës. Masat e marra për Ditën e Verës nga ana e policisë së Elbasanit kanë rezultuar efektive deri në orët e mbrëmjes së djeshme, pasi fatmirësisht nuk u shënua asnjë incident. E njëjta panoramë ka mbizotëruar dje në kryeqytetin e vendit. Në Tiranë sheshi kryesor "Skënderbej", i gjithë bulevardi "Dëshmorët e Kombit" dhe zona e ish-Bllokut u pushtuan nga kryeqytetas e të ardhur nga rrethe të tjera të vendit, të cilët u bënë pjesëmarrës të atmosferës festive. Kompani të ndryshme kanë mundësuar gjatë gjithë ditës aktivitete të ndryshme, me këngë, cirk, lojëra, ndërsa përgjatë rrugëve të festave nuk mungonin lulet dhe ëmbëlsira tradicionale e festës, ballokumja. Festimet kanë vazhduar deri në mesnatë, kur koncertet e muzikës rrok u përzgjodhën për epilogun e Ditës së Verës.