E Shtunë, 31 Tetor 2026

Imamët i bëjnë thirrje besimtarëve: Faluni në shesh kundër Selim Muçës

 

Fatos Mahmutaj

Zgjedhjet për Kryetarin e Komunitetit Mysliman përplasin besimtarët me institucionin më të lartë përfaqësues të këtij besimi. Mesditën e së premtes, më 13 mars, gjatë faljes tradicionale të kësaj dite, besimtarët kryeqytetas u njoftuan se më datë 21 mars, Këshilli i Përgjithshëm i KMSH-së do të zhvillojë një mbledhje në medresenë e Kavajës me qëllim zgjedhjen e kreut të myslimanëve shqiptarë. Duke e konsideruar të papritur dhe të jashtëligjshme këtë mbledhje, imamët e Tiranës e kontestuan këtë proces. Ata pohuan se të premten e ardhshme në shenjë proteste do të falen në sheshin përpara Komunitetit në Tiranë. Por kjo nismë e besimtarëve është kundërshtuar prerazi dje nga kreu i KMSH-së, Selim Muça, i cili pohoi se në rast se do të ndodhë një gjë e tillë, atëherë do të kërkohet ndërhyrja e forcave të policisë. Gjatë një prononcimi të dhënë pasditen e djeshme për gazetën “Panorama”, duke larguar konfliktin nga KMSH, Selim Muça tha se besimtarët nuk kanë arsye për të pasur përplasje me Komunitetin. Sipas tij, problemi është midis imamëve të xhamive dhe myftiut të Tiranës Shaban Saliu. “Për t’u tubuar ata duhet të marrin leje nga myftiu i Tiranës. Në këtë rast nuk kanë leje nga askush. E gjithë njerëzia kanë detyrë të falen dhe të shkojnë në shtëpi, por jo të tubohen. Nuk bëjnë organizime të tilla xhematet (besimtarët), as myftinitë. Nëse duan t’i bëjnë me forcë le t’i bëjnë ne nuk kemi armë. Ne kemi vetëm propagandën fetare, morale, ligjore, këshillimore. Ata rebelohen pa të drejtë, qëllimi i tyre është të shembin KMSH-në. Ligji fetar, dhe Kur’ani urdhërojnë: “O ju besimtarë, binduni Allahut, profetit Muhamed (a.s) dhe të parëve të punës prej jush”. I pari i punës për ta është myftinia dhe KMSH, kështu që besimtarët duhet të na binden”, tha Muça. I pyetur nëse imamët dhe besimtarët janë rebeluar ndaj KMSH-së, Muça tha: “Nuk mund ta them me plot gojën. Por, ka një dozë rebelimi ndaj myftiut Shaban Saliu”. Ndërsa më tej i pyetur për faktin se vetëm në xhaminë e Et’hem Beut, në qendër të Tiranës nuk ka pasur njoftim për tubimin e së premtes së ardhshme ndërsa në të tjerat, po, Muça tha se shkak i rebelimit është fakti se imamët dhe personat që kanë dhënë këtë njoftim nëpër xhami janë të padrejtë. “Këta i bëjnë zullum vetes dhe islamit. Në islam thuhet binduni Kur’anit dhe institucioneve. Ata duan të shembin institucionet. Duan të shembin KMSH dhe të komandojnë vetë. Feja islame në Shqipëri ka qenë shumë tolerante dhe e pranueshme nga të gjithë. Feja duhet të ketë një vazhdimësi tradicionale”, tha më tej Muça. Ai pohoi se institucioni i tij nuk kishte dhënë asnjë leje për falje masive dhe në këtë rast do t’i drejtohen organeve të rendit për çdo lloj tubimi që mund të organizohet nga besimtarët. Kreu i KMSH-së tha se mandati i tij mbaron më datë 17 mars. Kështu që, i ndodhur përballë këtij fakti, më datë 11 mars, është urdhëruar që Këshilli i Përgjithshëm i KMSH-së prej rreth 90 anëtarësh, të mblidhet në medresenë e Kavajës më datë 21 mars për të zhvilluar zgjedhjet. Muça pohoi tashmë ndodhet vetëm kandidatura e tij dhe se statuti i KMSH parashikon se duhen minimalisht dy kandidatë. Përballë këtij fakti Muça tha se kandidati tjetër do prezantohej në ditët në vazhdim. Sipas tij, në këtë proces statuti nuk e parashikon përfshirjen e besimtarëve.

Flet myftiu i Tiranës: Kryetari ka të drejtë për ndalimin e faljes-protestë

TIRANE – Myftiu i Tiranës, Shaban Saliu, i cili mban edhe detyrën e imamit në xhaminë Et’hem Beu në qendër të kryeqytetit, është i vetmi që ka mbajtur qëndrim pro kreut të KMSH-së, Selim Muça. I pyetur për njoftimin e besimtarëve për falje përpara KMSH-së në shenjë proteste ai tha: “Nuk jam lajmëruar për këtë tubim. Nuk e kam marrë vesh. Tani po e dëgjoj. Por them se pa lejen tonë nuk do të bëhet asnjë veprim. Janë veprime që bëhen nga vetë përfaqësuesit e këshillave të xhamive. Këta në vetvete varen nga imamët, të cilët varen nga Myftinia. Unë nuk kam përplasje me imamët, atyre u kam kërkuar vetëm të zbatojnë statutin. Pa lejen e myftiut nuk bëhet asnjë veprim. Ka të drejtë kryetari që thotë se këto veprime janë të padrejta. Kam qenë pjesë e grupit të punës që nënshkroi kontratën me qeverinë ku thuhet se do të kërkohet policia në raste të veprimeve ilegjitime. Unë personalisht nuk e di çfarë do të bëhet të premten, por do jetë kryesia e KMSH-së që do vendosë. Do kërkoj që kjo të diskutohet të martën, meqë e hëna është ditë pushimi zyrtar”. Por, ndryshe nga myftiu i kryeqytetit, imamët e xhamive u shprehën kundër procesit të përshpejtuar të zgjedhjes së kryetarit, duke e konsideruar atë ilegjitim. Imami i Xhamisë së Tabakëve, Elvis Naçi pohoi se për këtë ishte mendimi i anëtarëve të këshillit të përgjithshëm të KMSH-së, këshillave të xhamive dhe këshillit të myftinisë. “Imami komandohet nga këta”, pohoi Naçi. Ahmed Kalaja, imami i Xhamisë të Rrugës së Kavajës, e mohoi njoftimin e besimtarëve për falje të përbashkët në formë proteste. “Do të shohim zgjidhjen më të arsyeshme. Ajo që kërkojmë janë zgjedhjet demokratike dhe zbatimi i statutit të KMSH. Në këtë rast mungojnë kandidatët dhe platforma për secilin. Mbledhja e së shtunës së ardhshme është farsë”, pohoi Kalaja. Imami i xhamisë “Xhyra”, Bilal Teqja pohoi se problemi i besimtarëve nuk është me myftiun, por me kryesinë e KMSH-së. Sipas tij, problemin me myftiun e shpik kreu i KMSH-së, Muça për të hequr përgjegjësinë nga vetja. Ndërsa në lidhje me mbledhjen e thirrur për zgjedhjet ai e quajti të habitshme dhe jodemokratike. “Nuk zbatojnë as statutin që kanë shkruar vetë”, përfundoi Teqja. Po kështu imami i Medresesë Lulzim Teqja mohoi të kishte njoftuar besimtarët për falje masive të premten e ardhshme, por u shpreh kundër kësaj formë të zgjedhjes së kreut të KMSH-së, njëlloj si kolegët e tjerë. Imami i xhamisë në sheshin “Avni Rustemi”, Saimir Ismaili nuk pranoi të prononcohej lidhur me këtë çështje.      fa.ma

Parashikohet ndërhyrja e policisë

Me anë të marrëv-eshjes së nënshkruar pak kohë më parë midis Komunitetit Mysliman Shqiptar dhe Këshillit të Ministrave parashikohet, që KMSH mund të kërkojë ndërhyrjen e policisë, në rast të tubimeve të paligjshme apo në rastin kur besimtarët kryejnë veprime që nuk janë miratuar nga krerët e këtij institucioni. Marrëveshja e nënshkruar tre muaj më parë i jep të drejtë ndërhyrjes së policisë, nëse do ta kërkojnë krerët e myslimanëve një gjë të tillë. Po në bazë të kësaj marrëveshjeje quhen të ndaluara dhe të paligjshme veprimet, që do kryhen nga besimtarët pa miratimin e krerëve të fesë islame në vend.   f.m

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›