E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dita e Verës, krerët e politikës thyejnë traditën e përvitshme


Këtë vit kremtimet në qytetin e Elbasanit do të zgjasin dy ditë

Kryeministri Berisha nuk do të jetë si çdo vit për Ditën e Verës në Elbasan. Pasi nuk kishte ndonjë vepër të madhe për të përuruar ka vendosur të vinte dy ditë më parë duke u uruar elbasanllinjve festën tradicionale. Këtë vit protagoniste do të jetë Bashkia Elbasan me një gamë aktivitetesh.

13 marsi, që simbolizon edhe nisjen e përgatitjeve dhe mbrëmjen e Ditës së Verës, do të nisë me aktivitetet duke lidhur poetët me natyrën. Rreth orës 10:00 në Lulishten e Poetëve, në qendër të qytetit, shkrimtari Xhevahir Spahiu do mbjellë një pemë simbolike. Më pas aktivitete do të zhvendosen në ambientet e teatrit "Skampa", ku disa poetë do të prezantojnë librat e tyre. Këtë vit, ndryshe nga vitet e tjera, panairi do të hapet në orën 11:00 një ditë para Ditës së Verës. Çelja e Panairit, ku marrin pjesë mbi 45 firma do të vazhdohet nga një paradë poetike që do të ketë në sfond dokumentarin "Pazari i vjetër i Elbasanit". Më pas do të ndahen çmimet për poetët. Në mbrëmje rreth orës 20:00 fillon koncerti në sheshin qendror të qytetit me pjesëmarrjen e Ansamblit "Isuf Myzyri", shoqatës kulturore artistike "Zana", Ulqin dhe një grup folklorik grek që ka qenë i ftuar në Festivalin e Këngës Popullore qytetare të zhvilluar gjatë këtyre ditëve. Në mesnatë Bashkia do të vazhdojë ritualin e fishekzjarrëve.

14 marsi
Si çdo vit, Dita e Verës do të shoqërohet me krosin e nxënësve të shkollave nëntëvjçare në shëtitoren kryesore të qytetit. Karnavalet Tradicionale do të vazhdojnë aktiviteteve me pjesëmarrjen e shumë shkollave. Ndërkohë, me rastin e kësaj feste, kreu i Bashkisë do të përurojë Shatërvanin "Tri Urat". Këtë vit do të jetë në shesh grupi amerikan i muzikës kantri "Mariachi Imperial De Amerika" me mbështetjen e Ambasadës Amerikane në Tiranë. Këto aktivitete do të ndiqen nga shumë të tjera të ansambleve folklorike në zonat ku do të jenë të vendosur qytetarë në ritin e përvitshëm të piknikut, si në Parkun Rinia dhe në Krastë.


Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›