E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti i DASH: Problem, zgjedhjet dhe korrupsioni qeveritar

Departamenti Amerikan i Shtetit botoi dje raportin e përvitshëm për gjendjen e të drejtave të njeriut në botë, përfshi edhe Shqipërinë


TIRANË - Zgjedhjet e 28 Qershorit dhe korrupsioni qeveritar vazhdojnë të mbeten problemet kryesore të trajtuara gjerësisht në raportet ndërkombëtare. Departamenti Amerikan i Shtetit botoi dje raportin e përvitshëm për gjendjen e të drejtave të njeriut në botë.


Në kapitullin për Shqipërinë, duke u ndalur tek zgjedhjet e vitit të kaluar, Departamenti i Shtetit i referohet raportit të OSBE/ODIHR-it, i cili thekson se zgjedhjet shënuan përparim nga ato të kaluarat, por nuk përmbushën plotësisht standardet ndërkombëtare.


Në pjesën mbi zgjedhjet dhe të drejtat politike, aty ku analizohen zgjedhjet e qershorit, raporti i Departamentit të Shtetit, duke iu referuar analizës së zgjedhjeve që bënë vëzhguesit e OSBE-së, ve në dukje se numërimi i votave ishte i keq, ose shumë i keq, në 22 nga 66 qendrat e numërimit.


"Ndërkohë që ODIHR-i vlerësoi se zgjedhjet përmbushën shumicën e angazhimeve demokratike të vendit, vuri në dukje probleme, duke përfshirë keqpërdorimin e burimeve qeveritare nga të dy anët për qëllime të fushatës, mangësi në trajnimin dhe përgatitjet për numërimin e votave, dhe dëshmi të votimit me prokurë, anshmërinë e medias, paragjykim dhe presion të punonjësve të sektorit publik për të marrë pjesë në veprimtari të fushatës.


Partia Socialiste (PS) bojkotoi parlamentin në Shtator, duke bërë thirrje për një hetim mbi manipulimin e zgjedhjeve", thuhet që raportin e Departamentit të Shtetit.

Korrupsioni qeveritar

Që në krye të raportit, DASH vlerëson se korrupsioni qeveritar mbetet një problem serioz dhe i pazgjidhur. Me gjithë disa arrestime të nivelit të lartë, thuhet në raport, korrupsioni qeveritar vazhdoi të ishte pengesë e madhe për reformat. Korrupsioni në polici dhe klima e mosndëshkimit kanë vazhduar.


Raporti citon se trysnia politike, kërcënimet, korrupsioni i përhapur dhe burimet e kufizuara, disa herë nuk e lejuan sistemin e drejtësisë të funksionojë në mënyrë të pavarur. "Kushtetuta siguron një gjyqësor të pavarur, megjithatë, presioni politik, frikësimi, korrupsioni i përhapur dhe burimet e kufizuara nganjëherë kanë penguar funksionimin e gjyqësorit në mënyrë të pavarur dhe të efektshme", - thuhet ndër të tjera në raport.


Raporti përmend edhe raportet e deritanishme me gjykatën të ministrit të Brendshëm, Lulëzim Basha, dhe atij të Mjedisit, Fatmir Mediu lidhur me dy ngjarjet e bujshme; shpërdorimet që janë bërë për rrugën Durrës-Kukës dhe shpërthimin e Gërdecit, ku gjetën vdekjen 26 persona.

Vrasjet e bujshme

Një problem tjetër shqetësues që është trajtuar në raport është edhe keqtrajtimi nga ana e policisë ndaj personave të dyshuar gjatë marrjes në pyetje të tyre. Probleme të raportit janë edhe diskriminimi ndaj grave, fëmijëve, personave homoseksual dhe minoriteteve. Trafikimi i personave mbetet një problem gjithashtu për Departamentin e Shtetit.


Raporti përfshin edhe vrasjet e dy figurave politike, deputetit të PS-së, Fatmir Xhindi dhe demokristianit, Aleks Keka, ku nënvizohet se janë ende të pazbardhura. Sipas raportit, gjatë vitit 2009, pati raporte të vazhdueshme për vrasje, duke përfshirë ato për gjakmarrje, hakmarrje dhe eliminim mes bandave kriminale.


Sipas OJQ-ve, rreth 120 familje rrinë në ngujuar për shkak të gjakmarrjes. Në raport thuhet gjithashtu se vazhdon gjyqi ndaj Arben Sefgjinit, i cili më parë ka shërbyer si kreu i Shërbimit Informativ Kombëtar (SHISH), dhe së bashku me tre ish-kolegët e SHISH-it, Budion Mece, Avni Kolladashi dhe Ilir Kumbaros, akuzohen për rrëmbimin dhe torturimin e Remzi Hoxhës dhe dy shtetasve të tjerë në vitin 1995.


Sipas raportit, fati Hoxhës vazhdon të mbetet i panjohur. Në raport flitet edhe për vazhdimin e hetimeve për shitje organesh të shtetasve serb gjatë luftës në Kosovë. Raporteri i KE-së, Dick Marty, ishte me mision në Serbi dhe Shqipëri për të investiguar mbi këtë çështje, por raporti i tij ka mbetur pezull.


Pikat kryesore të raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit

Zgjedhjet shënuan përparim nga ato të kaluarat, por nuk përmbushën plotësisht standardet ndërkombëtare
Numërimi i votave ishte i keq, ose shumë i keq, në 22 nga 66 qendrat e numërimit.
Pati keqpërdorim të burimeve qeveritare nga të dy anët për qëllime të fushatës
Pati mangësi në trajnimin dhe përgatitjet për numërimin e votave, dhe dëshmi të votimit me prokurë, anshmëri të medias
Paragjykim dhe presion të punonjësve të sektorit publik për të marrë pjesë në veprimtari të fushatës
Korrupsioni qeveritar mbetet një problem serioz dhe i pazgjidhur.
Korrupsioni qeveritar vazhdon të jetë pengesë e madhe për reformat.
Korrupsioni në polici dhe klima e mosndëshkimit kanë vazhduar
Trysnia politike, kërcënimet, korrupsioni i përhapur dhe burimet e kufizuara, disa herë nuk e lejuan sistemin e drejtësisë të funksionojë në mënyrë të pavarur
Ka keqtrajtim nga ana e policisë ndaj personave të dyshuar gjatë marrjes në pyetje të tyre. Probleme të raportit janë edhe diskriminimi ndaj grave, fëmijëve, personave homoseksual, dhe minoriteteve.


Trafikimi i personave mbetet një problem gjithashtu për Departamentin e Shtetit
Fati i Remzi Hoxhës vazhdon të mbetet i panjohur.


Vrasjet e Fatmir Xhindit dhe Aleks Kekës janë ende të pazbardhura
Pati raporte të vazhdueshme për vrasje, duke përfshirë ato për gjakmarrje, hakmarrje dhe eliminim mes bandave kriminale


Në raportin për lirinë e medias përfshihet edhe gazeta "Shekulli"
Raporti i DASH për median: Qeveria sulmon botuesit


TIRANË- Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit flet gjerësisht edhe për lirinë e medias në Shqipëri. Në raport thuhet ndër të tjera se qeveria dhe bizneset kanë ushtruar presion të fshehtë mbi median. Ndër të tjera vihet re në raport se presioni i qeverisë ka kaluar nga gazetarët tek botuesit, duke përmendur rastet flagrante ndaj gazetës "Shekulli" dhe TV "Vizion Plus", pronarët e të cilave u akuzuan ashpër nga Kryeministri në sallën e parlamentit.


Sipas raportit, dy organe të medias, "Vizion Plus" dhe "Shekulli", dokumentuan padi për shpifje ndaj kryeministrit në dhjetor për deklaratat e dëmshme publike të bëra ndaj tyre në parlament. Raporti citon probleme për Televizionin Publik Shqiptar, e cila, sipas raportit, mbeti nën kontrollin e rreptë të qeverisë në linjën e saj editoriale.


Raporti citon se ka pasur raste të presionit të qeverisë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë mbi median, duke përfshirë kërcënimet direkte kundër gazetarëve. Në raport përmendet edhe incidenti me gazetarin Mero Baze, që citohet si kritik i hapur i qeverisë, i cili u godit pranë një klubi nate nga një biznesmen afër qeverisë vetëm se denoncoi praktikat korruptive të privatizimit të ARMO-s, si dhe rastin kur gazeta e tij "Tema" u mbyll. Raporti flet edhe për rolin hetues të medias.


Raporti citon emisionin "Fiks Fare", si emision satirik-investigativ që ka çuar në shkarkimin dhe ngritjen e akuzave kriminale ndaj zyrtarëve të korruptuar publikë, përfshi këtu edhe shkarkimin e ish-Ministrit të Kulturës, Ylli Pango.


Megjithatë, raporti vëren edhe probleme të politizimit të medias, që po sipas raportit, u përkeqësua gjatë fushatës zgjedhore. Në raportin e DASH-it thuhet se kronikat me fushatën nuk u bënë në sajë të xhirimeve të stafeve të TV-ve, por nga kasetat e gatshme që çonin partitë politike në redaksitë e tyre. Një transparencë minimale, sipas raportit, ka pasur edhe në financimin e medias.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›