Mane: Në Rinas kam parë avion amerikan dhe arka fishekësh boshe

TIRANË- Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet në seancën e 38 gjyqësore ndaj të pandehurve të tragjedisë së Gërdecit, dëgjoi 9 dëshmitarë, mes të cilëve numëruesin e arkave të municioneve që sillte Ushtria në fabrikë, shtetasin Kledjan Qefalia, i punësuar nga personat e njohur tashmë si "grupi hije" dhe administratori i shoqërisë së sigurimit privat që ruante punishten e demontimit shtetasi Begator Mane. Ky i fundit para togave të zeza tregoi të gjithë mënyrën e fillimit të punës së kompanisë së tij në këtë punishte si dhe konfirmoi para Gjykatës se në një repart ushtarak në Rinas kishte parë avion ushtarak dhe arka boshe fishekësh. "Njëherë kam shkuar me Dritan Minxhollin në një repart ushtarak në Rinas. Aty kam parë avion ushtarak amerikanë si dhe arka boshe fishekësh boshe. Dritani mori një qese që nuk e di ç'kishte brenda dhe u kthyem prapë në repart. Kur u ktheva në fabrikë pashë specialistët amerikanë me zjarrfikëse në dorë, pasi kishte rënë zjarr dhe ata kishin mundur ta fiknin"-tha ndër tjera dëshmitari Mane, që me një qershor 2007 kishte nënshkruar kontratën e ruajtjes së repartit ushtarak me drejtorin teknikë të kompanisë "Albademil" të pandehurin Dritan Minxholli. Gjithashtu, sipas Manes në repartin e demontimit kishte parë përveç Delijorgjit e Patrik Henryn edhe ish-Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura gjeneral Luan Hoxhën.
Dëshmia
"Kam qenë dhe jam administratori i një shoqërie sigurimi private. Mihal Delijorgjin e njoh, pasi i kam bërë ruajtjen e objektit në Gërdec. Në maj të vitit 2007 mësova se në Gërdec do të bëhej demontimi i municioneve, pasi zyrat e mia janë ngjitur me atë të Delijorgjit dhe i kërkova që ta takoja. I kërkova që të më jepte mua në ruajtje objektin që po ndërtonte dhe ne ramë dakord në parim. Vajta për të parë objektin në Gërdec dhe ishte një objekt ushtarak. Kishte porta dhe një pjesë llamarine, të cilës nuk mund t'i thuash rrethim. Brenda në repart ishte duke u ndërtuar një pllakë betoni. Pasi e pashë u ktheva në Tiranë dhe rashë dakord me Delijorgjin, i cili më delegoi tek Dritan Minxolli. Mora kontakt me të dhe në 1 qershor 2007 nënshkrova kontratën e ruajtjes së objektit. Në fillim puna ka nisur vetëm me një vend roje dhe më pas e shtuam edhe me tre të tjerë. Vendroje ishin me tre turne 24 orësh. Kam punësuar në total rreth 13- 14 punonjës, pasi lëvizja e punonjësve bëhej shumë shpesh pasi tërhiqej vëmendje nga drejtori që nuk e bënin si duhet punën. Një natë doli Dritan Minxolli për kontroll dhe hoqëm 3 roje, pasi nuk ishin në detyrë dhe i zëvendësoi.
Kam hyrë në fabrikë disa herë, por edhe në momentin që specialistët po montonin makineritë e ardhur nga SHBA-ja. Aty kam parë Dlijorgjin me amerikanin Patrik Henry. Në momentin që po bënin provat, ra zjarr tek nëjra nga makineritë dhe u fik nga specialistët amerikanë ku ishte i pranishëm edhe Shefi i Shtabit Luan Hoxha. Më pas aty tek depot e barutit u vendosen 8 fuçi me ujë. Makinat e municioneve vinin të shoqëruara nga ushtarakët dhe shkarkoheshin aty. Në fabrikë vinin fëmijë të mitur, të cilët i sillnin bukën prindërve. Urdhri ishte dhënë që mos të lejoheshin të futeshin brenda, por bëheshin edhe përjashtime"-përfundoi Mane dëshminë e tij. Pas deklarimeve të administratorit të kompanisë private që ruante objektin, me kërkesë të prokurorisë u pyetën edhe 7 dëshmitar të tjerë që treguan faktin e ndodhjes së shpërthimit.