Dita e Verës në Elbasan, qindra qytetarë dhe turistë të huaj pjesë e festimeve

TIRANË, 14 mars /ATSH/ Sot, festohet Dita e Verës në të gjithë Shqipërinë, por Elbasani edhe këtë vit është kthyer në kryeqendrën e festimeve, mes ballokumeve tradicionale, atmosferës festive, koncerteve dhe muzikës, duke bërë që qindra qytetarë nga të gjitha trevat shqipfolëse, por edhe turistë të huaj t’i bashkohen kësaj atmosfere festive.
Drejtori i Agjencisë së Turizimit në Elbasan, Artur Guni është shprehur se ky qytet nuk feston vetëm sot, Ditën e Verës 2025, por Ditët e Verës sepse bashkia ka parashikuar një kalendar festiv një javor.
“Të gjitha aktivitetet që zhvillohen, po bëhen për një javë. Nuk është më Dita e Verës, por ditët e verës. Janë karnavalet, panairi i zejeve, pjesa e improvizimit të pikturave, janë një sërë aktivitetesh. Është traditë, që elbasansit festojnë me familjen e tyre”, thotë ai.
Nënkryetari Guni thotë se krahas qytetarëve të shumtë që i janë bashkuar këtyre festimeve, ka edhe shumë turistë të huaj që e kanë kthyer Elbasanin në një vend të preferuar për turizmin gjithëvjetor.
“Turistë ka pasur gjatë gjithë vitit dhe janë në rritje. Elbasani ka çfarë ofron, kulinarinë, historinë, kulturën, edhe për natyrën. Turistët janë shtuar për Ditën e Verës, por edhe gjatë gjithë vitit. Nëse do pyesësh sot për hotel, nuk besoj se do të gjesh vend. Edhe në restorante nuk gjen vend. Është vazhdimësia dhe tradita, por edhe prfitimi ekonomik. Çdo mbrëmje ka muzikë, kemi aktivitete edhe në teatrin “Skampa”, shton Guni.
Ai thekson se në Elbasan nuk gjen dot më asnjë vend të lirë në hotelet brenda në qytet, por edhe në rrethina është bërë vështirë për t’u akomoduar nëse klientët nuk prenotojnë më parë. E njëjta situatë edhe me restorantet, ku sipas Gunit duhet që qytetarët të prenotojnë më përpara nëse duan të shijojnë kulinarinë e shijshme dhe tradicionale të Elbasanit.
Elbasani dhe tradita shekullore e Ditës së Verës
Dita e Verës është një nga festat më të vjetra pagane shqiptare, me rrënjë që shtrihen thellë në lashtësi. Origjina e saj lidhet me kultin e natyrës dhe festimin e rikthimit të diellit pas dimrit të ftohtë. Kjo festë, e cila dikur kremtohej vetëm në Elbasan, sot është bërë një simbol kombëtar i pranverës dhe gëzimit.
Në Elbasan, qendra tradicionale e festimeve, Dita e Verës ruan ende zakonet e vjetra si përgatitja e ballokumes, një ëmbëlsirë tradicionale e bërë me miell misri, sheqer dhe gjalpë. Familjet mblidhen së bashku, shtëpitë hapin dyert për miqtë dhe qyteti mbushet me muzikë, vallëzime dhe panaire.
Nga një festë e vogël lokale, sot Dita e Verës është bërë një nga festat më të mëdha të vendit, ku Elbasani kthehet në kryeqendrën e gëzimit dhe mikpritjes. Ky qytet e ka bërë festën një pjesë të pandashme të identitetit të tij, duke ruajtur traditën dhe duke e përcjellë atë brez pas brezi.
Dita e Verës në Elbasan, i pranishëm edhe kryebashkiaku i këtij qyteti, Gledian Llatja, ministr... 1 nga 31