E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dita e parë e shkollës, Topi sot tek "Servete Maçi" në Tiranë

Në ditën e parë të vitit shkollor 2009-2010, Kreu i Shtetit ishte i pranishëm në shkollën 9 vjeçare "Servete Maçi", në kryeqytet, aty ku ai ka kaluar 8 vitet e jetës shkollore. "Shkolla, vendi ku behesh i ditur" 

TIRANE-Bamir Topi uroi sot të gjithë nxënësit e arsimit parauniversitar, me rastin e fillimit të vitit shkollor 2009-2010, ndërsa vlerësoi se "shkolla është vendi ku përgatitet e ardhmja europiane e kombit tonë".
Në ditën e parë të vitit shkollor 2009-2010, Kreu i Shtetit ishte i pranishëm në shkollën 9 vjeçare "Servete Maçi", në kryeqytet, aty ku ai ka kaluar 8 vitet e jetës shkollore.
"Nuk mund ta fsheh se një emocion shumë të fortë, sepse në këtë shkollë, në këtë oborr, kam kaluar 8 vitet e jetës time shkollore. Njeriu në jetë merr shumë çertifikata por e paharruar mbetet dëftesa e klasës së parë, ku dy emra janë memorizuar për të mos u harruar, mësuesja e parë dhe drejtori i shkollës", tha Presidenti Topi.
Ai vuri në dukje rolin e rëndësishëm të shkollës, që sipas tij, "të mëson se si bashkëjetohet dhe se si kultivohet diskutimi dhe debati".
"Shkolla është vendi ku ndonëse shkohet me emocione e shqetësime, vetëm nëpërmjet saj fëmijët tanë do të bëhen të ditur, do të shkojnë nëpër profesione të ndryshme dhe do të bëjnë të mundur që Shqipëria në vitet që vijnë të jetë më e përparuar dhe pjesë e familjes europiane", tha Presidenti Topi.
Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, Presidenti Topi përcolli një mesazh urimi për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në diasporë, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, SHBA dhe kudo në Europë.
"Ju uroj atyre një vit të mbarë dhe uroj që ta mbajnë gjallë gjuhën shqipe, të kultivojnë literaturën që vjen nga Shqipëria dhe të mësojnë se rruga e arsimit shqiptar nuk ka qenë e lehtë", tha Kreu i Shtetit.
Duke nënvizuar faktin se "politika dhe institucionet e Shqipërisë kanë një përgjegjësi të veçantë për thellimin e reformave në fushën e arsimit", Kreu i Shtetit shprehu bindjen se "në këtë sektor, do të ketë përmirësime të ndjeshme në të ardhmen".
Shkollat e arsimit 9 vjeçar dhe të mesëm në Shqipëri kanë hapur sot dyert ne mbare vendin per te pritur nxenesit.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›